Taksa

Paketa e re fiskale, kush humb dhe kush fiton

Paketa fiskale e projektbuxhetit të vitit 2022 synon të sjellë 600 milionë euro të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit dhe të thjeshtësojë sistemin tatimor.

Ndryshimet e bëra kanë për qëllim rritjen e të ardhurave tatimore në buxhet me përjashtim të rritjes së pragut të pagës së pataksueshme.

Në 2022-shin, punonjësit me pagë deri në 40 mijë lekë nuk do të paguajnë tatimin mbi të ardhurat. Nivel që momentalisht  është në limitin e 30 mijë lekëve. Një tjetër ndryshim në taksat e të ardhurave është përgjysmimi në 6.5% i pagave deri në 50 mijë lekë, nga 13% që është aktualisht. Por, sipas shpjegimit zyrtar, ky taksim do të aplikohet vetëm për diferencën, pra 50.000-30.000.

Më thjeshtë, nëse dikush paguhet 42 mijë lekë, do të taksohet me 6.5% vetëm për 12 mijë  lekë pagë, (40.000-30.000), me një vlerë, 7.800 lekë.

Tatimi maksimal mbi të ardhurat, prej 23% do të aplikohet vetëm për pagat mbi 200 mijë lekë në muaj nga 150 mijë lekë qe është tani.

Sipas relacionit, nga zerimi i tatimit për pagat deri në 40 mijë lekë përfitojnë 71.500 të punësuar dhe shuma e përfitimit është mesatarisht 7.800 lekë për tatimpagues në vit ose rreth 557 milionë lekë për të gjithë tatimpaguesit.

Numri i tatimpaguesve që përfitojnë nga kjo rritja e dyshemesë së taksimit maksimal mbi të ardhurat është rreth 5.900 dhe shuma e përfitimit është mesatarisht 23.000 lekë për tatimpagues në vit ose në total 135 milionë lekë për të gjithë tatimpaguesit.

Por, në dokument thuhet se aplikimi i këtyre ndryshimeve ligjore, sipas relacionit të Qeverisë, rezulton me një efekt negativ në buxhetin e shtetit prej -1.37 miliardë lekë në vit, ndërsa sa i takon vitit 2022, duke qenë se ky parashikim nis të zbatohet në korrik të vitit 2022, efekti negativ për vitin 2022 parashikohet të jetë -685 milionë lekë.

Në kontrast (apo balancë), ka ndodhur rritja e taksës së gazit, akcizës së cigareve dhe karburanteve.

Gazi për konsum dhe përdorim shtëpiak do të nisë të taksohet me 6 lekë për litër nga korriku 2022, që nuk ekziston momentalisht. Kjo mund të jetë lëvizja e duhur në një krizë burimesh energjie, ku gazi do të jetë një burim i tillë. Gjithashtu, Shqipëria është pjesë e projekteve madhore të gazjsellësve në Europë dhe botë.

Një tjetër ndryshim që në fakt nuk po pret 2022-shin, por ndodh nga java në javë është rritja e akcizës së cigareve. Sipas planit fiskal të mëhershëm, cigaret rriten me 10 lek çdo 1 janar të një viti, por nga detyrimet e ardhura nga BE akciza e duhanit duhet të shkojë deri në 4% brenda 4 viteve. Për të arritur normat e BE-së, një qytetar duhet të paguajë mesatarisht të paktën 90 euro për 1.000 cigare. Qëllimi i nivelit të lartë të akcizës së cigareve synon limitimin e konsumit të saj.

Një tjetër taksim që duket të rëndojë më shumë kompanitë private, por të lehtësoje fermerët është taksimi me  100 lekë për litër i qumështit pluhur.

Sipas ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj paketa e re fiskale që pritet të miratohet do të sjellë 5 mld lekë më shumë në buxhetin e shtetit dhe do të ulë informalitetet.

Draftprojekti mbi paketën e re fiskale pritet të shqyrtohet ditën e nesërme. Paketa fiskale momentale që ka hyrë në fuqi janarin e këtij viti dhe do të ekzekutohej deri në 2029 nuk duket të ketë qenë efektive.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë