Futboll

Video/ Simeone ekzekuton edhe Juventusin, Alegri tani sheh ëndrra me shtriga

Humbja e dytë radhazi brenda pak ditësh për Juventusin, që e sheh kreun e renditjes gjithmonë e më larg. Pas tronditjes që mori me Sausolon në Torino, skuadra bardhezi është mundur edhe në Verona, 2-1. Një situatë mjaft e vështirë për Alegrin dhe të tijtë, me 15 pikë në 11 javë dhe vendin e 9-të në renditje.

Protagonist i ndeshjes ishte sulmuesi Xhovani Simeone. Argjentinasi, djali i trajnerit Diego Simeone, po përjeton një moment magjik, teksa pas 4 golave që i shënoi Lacios pak ditë më parë, ka ekzekutuar edhe Juventusin me një dygolësh.

Simeone i shënoi të dy golat brenda 3 minutash, në të 11-ën dhe 14-ën. Në rastin e parë e pati të lehtë për ta çuar topin në rrjetën e Sheznit, kurse goli i dytë ishte spektakolar, me topin që përfundoi në trekëndësh. Juventusi reagoi në pjesën e dytë dhe arriti të shkurtonte diferencën me MekKenin 11 minuta para fundit, por vetëm kaq.

Kriza bardhezi vazhdon dhe trajneri Masimiliano Alegri tani nuk mund ta bëjë kurrësesi gjumin të qetë. Tifozët kanë shpërthyer në rrjetet sociale ndaj tij dhe ekipit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë