Zhgënjen totalisht Vllaznia në “Klasiken e Shqipërisë”, feston Tirana që rimerr e vetme kreun e Abissnet Superiores. Një fitore bindëse e skuadrës së Orges Shehit, 0-2, si dhe një leksion i mirë për shkodranët në shtëpinë e tyre. Ishte një provë force e kaluar me sukses nga Tirana, që tregon se është kandidate serioze për titullin. Kualitetet e saj kanë bërë diferencën në këtë 90-minutësh, duke e ngjitur në kuotën e 17 pikëve.
Tirana kaloi në avantazh në mesin e pjesës së parë, kur pas një topi pas shpine të Tolit përfitoi Xhixha, i cili shmangu portierin Zogoviç dhe shënoi në portën e boshatisur. Edhe më parë Tirana rrezikoi disa herë në portën shkodrane. Vllaznia në anën tjetër u bazua te depërtimet e Latifit në krah, ndërsa Aralica u izolua mirë nga mbrojtja kundërshtare.
Me fillimin e pjesës së dytë, skuadra e Tomas Bërdariç u mundua të shtonte sulmet, në kërkim të golit të barazimit, por as goditjet standarde nuk e ndihmuan për këtë gjë. Rreth 20 minuta para fundit, Tirana mbeti me 10 lojtarë, pasi VAR-i evidentoi një ndërhyrje për karton të kuq të Tolit.
Kur pritej që Vllaznia të barazonte, kryeqytetasit kanë goditur sërish me Seferin. Pas një kundërsulmi të shpejtë, sulmuesi goditi saktë në zonë dhe shënoi golin e dytë. Në minutat shtesë ai pati edhe një rast ideal për golin e tretë, por u tregua altruist dhe tentoi pasimin për Limajn. Gjithsesi, Seferi në veçanti dhe Tirana në tërësi kanë bërë një ndeshje mjaft të mirë, duke e merituar plotësisht fitoren.
Vllaznia shfaqi probleme të mëdha në prapavijë edhe kur ishte në superioritet numerik. Kjo është humbja e dytë radhazi për shkodranët, pas asaj me Kukësin një javë më parë me të njëjtin rezultat. Diçka nuk shkon në skuadrën e Bërdariç, po të marrim në konsideratë grupin e futbollistëve që ajo ka. Pas 7 javësh, Vllaznia ka 9 pikë.

“Lufta” para ndeshjes për tifozët
Gjatë orëve para ndeshjes pati polemika në distancë mes palëve. Klubi shkodran bëri me dije se do të mbyllte dy tribuna të rezervuara për tifozët miq, pasi në një postim në faqen e ultrasve bardheblu “Tirona Fanatics” kishte fjalë fyese për Vllazninë. Nga klubi verior pritej reagim, pasi ishte vënë në dijeni klubi i Tiranës dhe FSHF-ja dhe duke qenë se askush nuk mbajti qëndrim, Vllaznia “kërcënoi” me mbylljen e dy tribunave. Pas këtij momenti erdhi reagimi i prerë nga ana e FSHF-së, që sqaronte se Vllaznia nuk ka të drejtë të mbyllë dyert e stadiumit për tifozët, kështu që “Tirana Fanatics” u lejuan të hyjnë.
Abissnet Superiore, java e 7-të
Sot
Laçi-Skënderbeu 2-0
Vllaznia-Tirana 0-2
Nesër
Partizani-Egnatia
Teuta-Kastrioti
Të premten
Dinamo-Kukësi 0-1
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




