Futboll

Shkodra pret sot klasiken e Shqipërisë, spektakël i garantuar në “Loro Boriçi”

Vllaznia-Tirana, ose “Klasikja e Shqipërisë” siç e quajnë tashmë, është ndeshja më e rëndësishme e javës së 7-të të Abissnet Superiores. Kjo ndeshje do të luhet sot në stadiumin “Loro Boriçi”, në orën 16:45. Spektakli është i garantuar: Vlllaznia jep gjithmonë më të mirën ndaj këtij kundërshtari, kurse Tirana vjen në një formë të mirë dhe duhet të mbrojë kreun e renditjes. Gjithashtu, pjesëmarrja e tifozëve do të jetë më e madhe se herët e tjera.

Vllaznia e këtij sezoni duket një skuadër më kompetitive, me një forcë sulmuese për t’u admiruar, por në gjashtë javët e para ka pasur edhe ndonjë luhatje, siç ishte humbja me Kukësin në Rrogozhinë. Skuadra e trajnerit Bërdariç luan një futboll tërësisht sulmues, ndaj Laçit ka shënuar 5 gola, kurse ndaj Dinamo 6 gola. Tirana është e paralajmëruar. Për shkodranët mungon sot kapiteni Gurishta i skualifikuar. Vllaznia ka 9 pikë, Tirana 14.

Baneri i ndeshjes Vllaznia-Tirana. Gazeta Si, 30 tetor 2021

Tirana shkon në Shkodër pas fitores në derbi, me një gjendje psikologjike shumë të mirë. Kukësi e ka barazuar me pikë dhe bardheblutë synojnë të shkëputen të paktën 1 pikë prej tij. Kryeqytetasit mund të kënaqen edhe me një pikë në këtë transfertë. Trajneri Shehi mbështetet te sulmuesit Ngo dhe Seferi, ndërkohë që një formë shumë të mira po tregon edhe Limaj.

Po sot luhet edhe ndeshja Laçi-Skënderbeu, ku në stolin e kurbinasve debuton Mirel Josa, i cili më parë ka bërë histori në krye të korçarëve. Nesër luhen dy ndeshjet e fundit të javës, Partizani-Egnatia dhe Teuta-Kastrioti. Dje Kukësi mundi Dinamon 0-1 në kryeqytet.

Abissnet Superiore, java e 7-të
Sot, ora 13:45
Laçi-Skënderbeu
Ora 16:45
Vllaznia-Tirana
Nesër
Partizani-Egnatia
Teuta-Kastrioti
Të premten
Dinamo-Kukësi 0-1


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë