Jo vetëm Igli Tare. Drejtori sportiv i Lacios mund të ketë shumë shpejt një koleg të ri në Serinë A nga Shqipëria. Drejtuesit e Xhenoas po mendojnë për një profil të huaj për atë që duhet të drejtojë sektorin e zbuluesve të talenteve. Për rolin e përgjegjësit të këtij sektori ata kanë piketuar ish-futbollistin e Apolonisë, Elton Marini, agjent i FIFA-s që prej vitit 2007.
Lajmi është bërë i ditur nga “Tuttomercatoweb” në Itali, që jep edhe disa detaje në lidhje me punën e Marinit, duke evidentuar transferimin e sulmuesit Kaleb Ekuban te Partizani në 2016-ën, kur karriera e këtij lojtari mori një kthesë të fortë, duke kaluar më pas në Turqi dhe për të mbërritur te Xhenoa.

Në lajm thuhet se Marini, menaxher i shumë lojtarëve shqiptarë dhe të huaj, mund të kryejë edhe rolin e drejtorit sportiv te Xhenoa, pasi e ka marrë licencën nga Federata Shqiptare e Futbollit. Kontaktet mes palëve kanë avancuar dhe mundësitë janë të mëdha që Marini të jetë përgjegjësi i zbuluesve të talenteve për Xhenoam, apo skauterëve, siç quhen ndryshe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




