Art dhe Kulture

Aktiviteti i parë kulturor tek “Sarajet e Toptanëve”

Pas shpronësimit të pronarëve dhe kalimit si pronë e Bashkisë së Tiranës në “Sarajet e Toptanëve” është zhvilluar aktiviteti i parë kulturor, ku u promovua libri i ish-presidentit amerikan, Barack Obama, “Tokë e Premtuar”, i përkthyer dhe sjellë në shqip nga Shtëpia Botuese “Dudaj”.

Promovimi i këtij libri pikërisht te Sarajet, nuk ishte rastësi, pasi “Sarajet e Toptanëve” kanë shërbyer më parë si rezidenca e parë amerikane në Shqipëri.  

Në ceremoninë e promovimit të librit të Presidentit të 44-t të Shteteve të Bashkuara, organizuar në kuadër të 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se ky është vetëm sipari i aktiviteteve të këtij niveli në godinën që sapo mori pronësinë e plotë publike.

Veliaj bëri me dije se pas shpronësimit të “Sarajeve të Toptanëve”, do të shpronësohet edhe “Shtëpia e Libohovidëve”, ose ndryshe siç quhet ndryshe ish-Instituti i Histori-Gjeografisë.

“Më vjen mirë që kjo ndërtesë, e cila sot ka aktivitetin e parë publik si pronë publike, do të jetë një mundësi e hapur për të parë se si ne mund të ruajmë ato gjurmë të qytetit që janë realisht të vlerësuara nga Instituti i Monumenteve të Kulturës si ndërtesa me vlera. Ndoshta 2500 shtëpi të mbrojtura ne nuk mund t’i shpronësojmë, pasi nuk ka kurrë një buxhet të tillë, por unë besoj që në interesin publik ky është një çmim që ia vlen. Shpronësimi tjetër do të jetë ish-instituti i Histori-Gjeografisë, apo siç njihet ndryshe, 'Shtëpia e Libohovidëve' që është ngjitur me pjesën e Kalasë, tashmë e restauruar nga Bashkia e Tiranës dhe më vjen mirë që më në fund do të kemi disa elementë në zemër të qytetit që do të ruhen nga shteti, jo vetëm me një pllakate, por edhe me fonde, menaxhim dhe mirëmbajtje publike,” u shpreh Veliaj.

“Sarajet e Toptanëve” u shpronësuan më 22 tetor me qëllimin për t’u shndërruar në një muze për qytetin e Tiranës.

Godina e cila u përfshi nga flakët mesnatën e 17 gushtit, do të rikonstruktohet e do të vihet në dispozicion të qytetarëve, ku do të ketë edhe një librari që do të quhet “American library”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë