Futboll

Video/ Dermaku kthehet me gol te Leçe, UEFA reklamon pritjen e Strakoshës

Kastriot Dermaku i ka dhënë një pikë të rëndësishme Leçes në transfertën e vështirë me Breshian në Serinë B. Mbrojtësi i Kombëtares u fut në fushë si zëvendësues në minutën e 76-të dhe pas vetëm 5 minutash ai realizoi golin e avantazhit me kokë. Por në fund Breshia barazoi dhe gjithçka u mbyll 1-1.

Dermaku vinte pas një periudhe të vështirë, ku një dëmtim e kishte mbajtur jashtë fushave për disa muaj. Rikthimi i tij është shumë i rëndësishëm për Leçen, ku futbollisti kuqezi luan që prej sezonit të kaluar. Dermaku u grumbullua edhe nga trajneri Reja për ndeshjet e fundit eliminatore. Leçe është pretendente për ngjitjen në Serinë A. Pas 10 javësh kampionat, mban vendin e 5-të me 17 pikë. Ky ishte barazimi i tretë radhazi për këtë skuadër.

Në faqen e UEFA-s sot është shfaqur papritur portieri i Kombëtares, Tomas Strakosha. Në një video të publikuar nga kjo faqe reklamohet një pritje shumë e bukur e portierit kuqezi gjatë ndeshjes së Ligës së Europës mes Lacios dhe Olimpikut të Marsejës. “Nëse Olimpiku i Marsejës nuk shënoi, kjo ndodhi falë Strakoshës”, – ishte diçitura që shoqëronte këtë video.

Strakosha ka luajtur titullar me Lacion në Ligën e Europës, ndërsa në kampionat trajneri Sarri ka preferuar gjithmonë Reinën. Dhe në ndeshjen e fundit ndaj Olimpikut të Marsejës Strakosha tregoi një formë vërtet shumë të mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë