Ashtu si çdo vit, është përkujtuar edhe në jug të Shqipërisë nga zyrtarë helenë Festa Kombëtare e Greqisë, me rastin e 81-vjetorit të ditës së “Jo”-së.
Me flamuj dhe veshje tradicionale, ceremonitë kanë startuar në varrezat e ushtarëve grekë në Grykën e Këlcyrës, ku është mbajtur një meshë fetare në Manastir dhe më pas janë vendosur kurora me lule në varrezat, ku prehen eshtrat e 650 ushtarëve grekë të rënë në luftën italo-greke në vitet 1940-1941.
Në Këlcyrë kanë qenë të pranishëm edhe ambasadorja greke Sofia Filioidhu, konsulli grek i Gjirokastrës, Dimitris Saharidis, zv/ministri i Jashtëm grek Andreas Kasanjotis, si dhe deputetët minoritarë të Kuvendit shqiptar, Vangjel Dule, kreu i PBDNJ-së dhe Niko Kuris, deputet i PS-së për Sarandën.
Ceremonitë kanë vijuar në fshatin Bularat në Bashkinë Dropull, ku të gjithë personat e mësipërm kanë marrë pjesë në meshën e organizuar në kishën e fshatit.
Ceremonitë zhvillohen në bashkëpunim më palën shqiptare, siç parashikohet në traktatin e bashkëpunimit për kërkimin, identifikimin dhe rivarrimin e të rënëve të luftës, firmosur prej dy vendeve dy vjet më parë.
Mësohet se familjarët e ekstremistit grek Kostandinos Kacifas nuk janë lejuar të marrin pjesë në varreza gjatë ceremonive të nderimit të ushtarëve grekë të rënë në luftë me italianët.
Gjatë kremtimeve, është shfaqur edhe ish-peshëngritësi i njohur me origjinë shqiptare, Piro Dhima, i cili mbrojti ngjyrat e flamurit grek pas viteve ’90, duke marrë disa medalje ari olimpike.
Dhima ka qëndruar në krah të nënës së Konstantinos Kacifas gjatë meshës që u zhvillua në kishën e Bularatit në Gjirokastër.
Në 1 tetor, Pirro Dhima humbi nënën e tij në Himarë, e cila jetonte e vetme dhe u gjet e vdekur nga fqinjët në banesë, tre ditë pasi kishte ndërruar jetë për shkaqe natyrore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.