Një mbrëmje e bukur për mbrojtësin e Kombëtares, Ivan Balliu, i cili ka triumfuar me Rajo Valekanon përballë Barcelonës, skuadrës ku është rritur. Rajo fitoi 1-0 ndaj katalanasve, falë një goli të kolumbianit të njohur, Radamel Falkao. Mbrojtësi kuqezi ishte titullar, si gjithmonë, dhe qëndroi 90 minuta në fushë.
Është një sezon fantastik ky si për skuadrën, ashtu edhe për futbollistin e Kombëtares, që ka një vend fiks në formacionin e Rajo Velekanos. Pas 11 javësh kampionat, kjo skuadër mban vendin e 5-të në La Liga, me 19 pikë të grumbulluara. Balliu po përjeton një moment shumë të mirë dhe në ndeshjet e nëntorit mund të ketë më shumë hapësirë për të edhe në Kombëtare. Vazhdon periudha e errët ndërkohë për Barcelonën, që në këtë ndeshje humbi një penallti me Depain.

Ndryshe paraqitet tabloja për kuqezinjtë e Serisë A. Nedim Bajrami dhe Adrian Ismajli luajtën titullarë ndaj Interit, ku Empoli u mund 0-2. Mbrojtësi qëndroi 90 minuta në fushë, kurse fantazisti u ndërrua në pjesën e dytë, kur pati minuta edhe për mesfushorin Kristjan Asllani. Empoli mbeti me 10 lojtarë dhe e pati të vështirë ndaj Interit. Ismajli, Bajrami dhe Asllani u vlerësuan me notën 6 për paraqitjen e tyre.
Lacio fitoi 1-0 ndaj Fiorentinës në javën e 10-të të Serisë A, por në fushë nuk kishte asnjë nga shqiptarët. Strakosha dhe Hysaj qëndruan në stol gjithë kohën në këtë ndeshje, ku vendoi goli i Pedros. Në stolin e Fiorentinës këtë herë ishte edhe sulmuesi i Kombëtares U-21, Eljon Toçi. Marash Kumbulla u kthye te Roma pas dënimit, por qëndroi në stol. Skuadra e tij fitoi me përmbysje 1-2 në Kaljari.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




