Derbi Tirana-Partizani duhej të ishte një ndeshje model sa i takon mbarëvajtjes dhe sigurisë, duke qenë se të pranishëm ishin edhe inspektorë të UEFA-s, por për fat të keq u ndërpre që në minutën e parë, pas flakadanëve të hedhur në fushë. Ishte një reklamë e shëmtuar nga ana e tifozëve të dy klubeve kryeqytetas, të cilët nuk kursyen as stolat plastikë gjatë ndeshjes.
Për gjithçka ndodhi në atë ndeshje, Komisioni i Disiplinës në FSHF ka vepruar me dorë të hekurt, ashtu sikurse pritej. Tirana dhe Partizani janë gjobitur me nga 200 mijë lekë dhe kanë 15 ditë afat të shlyejnë financiarisht dëmet e shkaktuara në stadium nga tifozët e tyre. Klubi i kuq ka marrë edhe një dënim prej 4 ndeshjesh pa tifozë, pasi, me sa duket, tifozët e tij kanë shkaktuar më shumë probleme. Me dy ndeshje është pezulluar edhe trajneri i Partizanit, Ilir Daja.

Nuk kanë munguar për javën që lamë as gjobat e zakonshme prej 50 mijë lekësh për sjelljen e gabuar të tifozëve, por edhe pezullimet për individë të caktuar. Ja dhe disa nga vendimet kryesore të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës:
- Egnatia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë. Zyrtari i Egnatias, Eduart Thartori, për sjellje josportive, dënohet me 8 ndeshje pezullim.
- Teuta, për mosrespektim të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, duke mos vendosur stemën e Abissnet Superiore, në mëngën e djathtë të fanellës së lojës, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.
- Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.
Skënderbeu, për sjellje të gabuar të spektatorëve, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë. - Tirana, për dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive, sjelljes së gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, dëmtimin e mjediseve sportive dhe pajisjeve sportive, dënohet me gjobë në masën 200.000 lekë. Tirana urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” brenda 15 ditëve.
- Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, dëmtimin e mjediseve sportive, pajisjeve sportive dhe duke shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të lojës, dënohet me gjobë në masën 200.000 lekë dhe 4 ndeshje pa spektatorë. Partizani urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” brenda 15 ditëve. Zyrtari i Partizanit, Ilir Daja, për protestë ndaj zyrtarit të ndeshjes, dënohet me 2 ndeshje pezullim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




