Punimet që janë kryer këtë sezon në shumë stadiume të vendit, i kanë çoroditur jo pak skuadrat e Superiores, që kanë hasur shumë vështirësi për të gjetur një fushë të lirë për ndeshjen e radhës. Në këtë situatë është gjendur këtë herë Teuta, që ndeshjen e javës së 7-të me Kastriotin do ta zhvillojë në Shkodër.
Durrsakët janë detyruar të spostohen në “Loro Boriçi”, në fushën e një rivali direkt në garën e titullit siç është Vllaznia, pasi nuk kishin mundësi tjetër. Në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit vazhdojnë punimet, por tashmë ato kanë nisur edhe në “Elbasan Arena”, ku Teuta ka luajtur si pritëse.

I padisponueshëm është edhe stadiumi i Rrogozhinës, që gjithashtu durrsakët e kanë përdorur si fushë pritëse. “Egnatia Arena” ka pasur shumë ngarkesë këtë kohë dhe ka nevojë të mirëmbahet. Teuta drejtohet nga shkodrani Edi Martini, po ashtu ka edhe disa lojtarë shkodranë, por kjo nuk mjafton, pasi tifozët shkodranë nuk mund të mbështesin një rival direkt të Vllaznisë.
Dinamo, që deri tani nuk ka luajtur asnjë ndeshje në kryeqytet, do ta presë në “Air Albania” Kukësin për ndeshjen e radhës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




