Futboll

Përfitime të dyshimta në bilanc, Prokuroria heton 62 lëvizje lojtarësh në Itali

Plot 62 operacione merkatoje në dy vite, që kanë ndihmuar klubet për të rregulluar bilancet me përfitimet që kanë sjellë këto shitje, kanë përfunduar së fundi në lenten e COVISOC (komisioni i mbikqyerjes së klubeve të futbollit). Të gjitha këto raste po hetohen nga Prokuroria Federale.

Sipas asaj që bën me dije shtypi italian, relacioni i është dorëzuar Prokurorit të Federatës Italiane të Futbollit, Giuseppe Chinè dhe presidentit Gravina. Një relacion që ka të bëjë me plusvalencat e dy viteve të fundit dhe hetimi lidhet me natyrën e këtyre operacioneve, që ka ngritur shumë dyshime.

Giuseppe Chine, prokurori i Federates Italiane te Futbollit. Gazeta Si, 27 tetor 2021

Organi që survejon bilancet e klubeve ka një listë emrash të futbollistëve dhe shumat përkatëse të transferimit të tyre. Hetimi nis me Franco Tongya dhe Marley Aké, të shkëmbyer nga Juventusi dhe Olimpik Marsejë për 8 milionë dhe që tani luajnë në kategorinë e 4-t franceze dhe në Serinë C. Pastaj janë 4 lojtarë që kanë përfunduar te Lila për 20 milionë euro në paketën Osimhen. Tre prej tyre janë kthyer në Itali (dy luajnë në Serinë D dhe një në Serinë C). Tjetri nuk e ka parë kurrë fushën te Lila.

Në shënjestër janë dhe disa operacione të Juventusit, 42 trasferime dhe 21 lojtarë të përfshirë për një shumë prej 90 milionësh, por me një qarkullim prej vetëm 3 milionësh dhe benefite prej 40 milionësh në bilanc. Në hetim janë të përfshirë edhe emra big, si shkëmbimi Pjaniç-Artur me Barcelonën dhe Kanselo-Danilo me Mançester Sitin. Hetimi sapo ka nisur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë