Futboll

Marash Kumbulla i vetmi ”i falur” te Roma, shtohen kritikët ndaj Mourinjos

Pas kritikave të trajnerit Zhoze Mourinjo për humbjen në Norvegji, Marash Kumbulla dhe katër lojtarë të tjerë të Romës përfunduan në tribunë ndaj Napolit. Situata së fundi ka ndryshuar vetëm për mbrojtësin e Kombëtares kuqezi, që pritet të jetë në stol ndaj Kaljarit. Kumbulla duket se është “i faluri” i vetëm nga portugezi, pasi Diavara, Vilar, Reinolds dhe Borja Majoral do të vazhdojnë të qëndrojnë në tribunë.

Vetë futbollisti shqiptar ka bërë një postim në profilin e tij në Instagram, ku shkruan: “Nga gabimet mësohet. Pak fjalë dhe shumë punë! Forca Roma”. Mbrojtësi nuk ka polemizuar aspak me trajnerin apo klubin, por ka reaguar me profesionalizëm.

Kumbulla gjatë nje derbi me Lacion. Gazeta Si, 26 tetor 2021

Në anën tjetër, në Itali janë shtuar kritikat për veprimin e trajnerit Mourinjo. Ish-sulmuesi Antonio Kasano, i njohur për gjuhën e tij pa filtra, ka theksuar se trajneri i ka shkatërruar 5 lojtarët e dënuar dhe se ata nuk do t’i përgjigjen kur ai të ketë nevojë për ta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë