Sociale

Jo më patatina, çokollata apo pije freskuese në shkollat publike e private të vendit! Lista e ushqimeve që u ndalohen nxënësve

Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit ndalojnë reklamimin e ushqimeve të pashëndetshme në mjediset e institucioneve arsimore. Ky urdhër vjen në kuadër të luftës kundër kequshqyerjes, që synon të realizojë mbrojtjen e shëndetit e të mirëqenies së fëmijës nga informacione e materiale që i dëmtojnë nxënësit nga mosha 6-15 vjeç të sistemit bazë, por edhe për gjimnazet apo sistemin parauniversitarë.
Urdhëri është përcaktuar për të gjitha institucionet arsimore të arsimit bazë, publike e private por edhe sistemin arsimor parauniversitar. Në listën e ushqimeve të pashëndetshme futen të gjitha ushqimet me përmbajtje të lartë yndyre, kripe, natriumi e sheqeri mbi normat e lejuara. Ndërkaq për zbatimin e këtij urdhëri duhet të zotohen vetë shkollat.

Lista e ushqimeve të pashëndetshme që ndalohen në shkolla:
1. Ëmbëlsira: çokollatë dhe produkte çokollate (çokollatë e thjeshtë ose e bardhë, vezë të mbushura me çokollatë, çokokrem); produkte të veshura me çokollatë p.sh.: biskota pjesërisht ose plotësisht të veshura, fruta ose arra të veshura me çokollatë, akullore dhe drithëra të veshura me çokollatë); ëmbëlsirë, përfshirë ëmbëlsirat “pa sheqer”, p.sh.: çamçakëz, xhelatina, likuiricia, karamele të çdo lloji përfshirë: menta, lëpirëse sheqeri, ëmbëlsira me sherbet, marshmallows dhe ëmbëlsira të tjera); çokollatë, kos ose fruta të thata dhe arra të veshura me sheqer; bareta drithërash, ëmbëlsira me fruta të përpunuara.

2. Ushqime të skuqura ku përfshirë produktet e skuqura thellë në procesin e prodhimit. Kjo përfshin përshembull:  patatina, salsiçe të skuqura, kofshë pule të skuqura, petulla etj.

3. Ushqime të aromatizuara (savoury snacks): Ushqime të aromatizuara me përmbajtje yndyre, yndyre të ngopur, natriumi dhe sheqeri mbi kriteret e mëposhtme: -madhësi  paketimi  të  barabartë  ose  më  të madhe se 25 g;-22g ose më shumë yndyrë për 100g;-2g ose më shumë yndyrë të ngopur për 100g;-0.6g ose më shumë natrium për 100g;-3g sheqer ose më shumë në total për 100g;

4. Pijet freskuese (me ose pa gaz),duke përfshirë ujëra me aromë; pijet e cilësuar si “pa sheqer” (me ose pa gaz) përfshirë ujërat me aromë; pije të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar; lëngjet e frutave të ëmbëltuara me sheqer të shtuar; lëngjet e perimeve me sheqer ose kripë të shtuar; lëngje të ëmbla të koncentruara, të bëra ose të aromatizuara  me lëngje frutash, të cilat hollohen për të bërë një pije; qumësht i plotë; pijet energjike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë