Futboll

“Tanku” gjerman i tremb të gjithë, askush si Bajern Mynih në Europë

Një “tank” i vërtetë gjerman, që duket se nuk ka asnjë mundësi për t’u ndalur. Bajern Mynih i tremb të gjithë, ndërsa trajneri Julian Nagelsman nuk ka pasur as problemin më të vogël për të trashëguar atë që la Flik. Askush tjetër në Europë nuk ka një mesatare si bavarezët, që në Bundesligë dhe në Ligën e Kampionëve po “fluturojnë”.

Javën e fundit Bajerni mundi 0-4 Benfikën në Champions dhe Hofenheimin në kampionat, me trajnerin Nagelsman pozitiv me Covid dhe që e drejtoi skuadrën nga shtëpia me “smart working”.

Në Gjermani, edhe pse kanë vetëm 1 pikë më shumë se Borusia Dortmund e Haland, bavarezët kanë një mesatare stratosferike: 33 gola të shënuar në 9 ndeshje, 3.66 gola për ndeshje. Kanë sulmin më të mirë absolut në Europë.

Bavarezet festojne nje gol te Sane. Gazeta Si, 26 tetor 2021

Edhe më e madhe është shpejtësia e “kroçerës” jashtë kufijve gjermanë, me 12 gola në 3 ndeshje Championsi, pa pësuar asnjë. Pra, një mesatare prej 4 golash për ndeshje, me kualifikimin për në fazën e 1/8-ve të hipotekuar. “Bomberi” është gjithmonë ai, Robert Levandovski, i cili nuk i ndjen aspak 33 vitet që ka mbi supe. Me 10 gola në Bundesligë dhe 5 në Champions, polaku po bën më mirë se “jashtëtokësori” Haland.

Të gjithë rivalët janë të paralajmëruar. Në Mynih nuk e kanë harruar eliminimin e vitit të kaluar në çerekfinale të Championsit nga PSG. “Tanku” Bajern ecën me shpejtësi dhe shumë dëshirë për hakmarrje, për të rimarrë trofeun me veshë të mëdhenj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë