Shpenzimet e universiteteve publike kanë qenë të shumta por edhe të “çuditshme” edhe përgjatë vitit akademik që shkoi pavarësisht faktit që nuk ishin të frekuentuara nga studentët për shkak të pandemisë. Në një raport të fundit të realizuar nga “Qëndresa Qytetare” tregohen shpenzime tepër të larta për administratën, blerjen e kancelarisë e orendive të ndryshme dhe ruajtjen e godinave.
Megjithëse godinat kanë qëndruar bosh gjatë 1 viti të plotë akademik, 6 universitetet kanë shpenzuar për ngrohjen e tyre shuma të konsiderueshme prej 332 000 Eurosh. Sipas të dhënave, Universiteti i Shkodrës ka blerë 51 500 Euro gazoil për ngrohjen e godinave. Ndërkaq shpenzime për kërkime shkencore ka pasur vetëm nga dy universitete nga gjashtë të monitoruara.
Megjithë shpenzimet e larta për blerje kancelarish dhe orendish zyrash, ekspertët e “Qëndresës Qytetare” shpjeguan për publikun se nuk është janë transparente detajet e mallrave të blerë.

Universiteti Politeknik i Tiranës ka shpenzuar 410. 000 Euro për orendi zyrash pa publikuar detajet e tyre ndërsa Universiteti i Tiranës e ka përdorur pothuajse të gjithë buxhetin e këtij zëri, rreth 73 100 eurosh për të blerë letra A4.
Te të dhënat e tjera që vërehen në kategorinë “Investime”, bien në sy disa blerje të dyshimta në funksion të procesit mësimor si blerja e një portreti me vlerë 53.400 lekësh nga Universiteti Politeknik i Tiranës dhe një piano me vlerë prej 690.000 lekësh nga Universiteti i Shkodrës.
Mirgen Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare” tha se pavarësisht se ky vit akademik është zhvilluar në distancë, 4 nga 6 universitetet e monitoruara kanë përshkruar distanca të konsiderueshme duke shpenzuar karburant për makinat. UPT ka shpenzuar 50.500 Euro karburant me tollona vetëm për tre muaj gjatë periudhës tetor-dhjetor 2020. Sipas tij, godinat bosh janë ruajtur me shifra marramendëse gjatë një viti kalendarik. Universiteti i Tiranës ka shpenzuar 555 250 Euro për roje dhe 236 200 Euro për kamera sigurie. UPT ka paguar 20 600 Euro për sigurimin e pasurisë së universitetit, ndërsa Universiteti i Elbasanit, i cili administron një numër më të ulët godinash, ka shpenzuar gati dyfish më shumë se universitetet e tjera të rretheve për roje.
“UPT zë vendin e parë për shpenzime të administratës, ku në 1 vit kalendarik përveç pagave bazë ka shpenzuar 357 750 Euro për shpërblime, 101 900 Euro për dieta, 50 500 Euro për karburant makine, 28 000 Euro për telefon/internet dhe 290 000 Euro pagesa të Bordit dhe Senatit Akademik,” shkruhet në të dhënat kryesore të raportit.
Në konferencë raportuesit e organizatës sugjeruan që këto gjetje të shikohen me imtësi dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit të nisë auditim për rregullimin financiar nëuniversitetet publike duke shqyrtuar buxhetet, bilancet, kontratt dhe gjndjen e magazinuar të mallrave të blera. Ndërsa rekomandojnë për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të plotësojnë kategoritë që mungojnë portalin u-transparenca.al përfshi këtu, vendimet e zbardhura të Bordeve të Administrimit, kontratat me të tretët dhe prokurimet për vitin 2020 – 2021.
Ndër të tjera përcaktohet në rekomandime se Universitetet publike duhet të përditësojnë dhe personalizojnë programet e transparencës në zbatim të ligjit për të drejtën e informimit dhe të aplikojnë vendimmarrje financiare të hapur, me përfshirjen e studentëve e në konsultim të vazhdueshëm me Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)








