Futboll

Paratë para moralit, Beckham sulmohet nga të gjithë për firmën si imazh i Katar 2022

Paratë përpara principeve dhe moralit. Kjo është akuza nga shumë anë kundër David Beckham. Ish-ylli i futbollit anglez, sipas disa burimeve të shtypit britanik, ka firmosur një akord prej 150 milionë stërlinash për të qenë imazhi i Kupës së Botës 2022 në Katar dhe ambasador i këtij vendi.

“E ftojmë David Beckham të informohet mbi situatën e të drejtave të njeriut në Katar, – ka thënë Sacha Deshmukh, administrator i “Amnesty International Uk”. Më tej ai vazhdon: “Nuk është surprizë që Beckham dëshiron të jetë i përfshirë në një event kaq të rëndësishëm, por ai duhet të njohë edhe situatën shqetësuese, nga keqtrajtimi i punëtorëve emigrantë deri në limitet e lirisë së fjalës dhe kriminalizimi i lidhjeve homoseksuale”.

Sipas “Amnesty”, duhet bërë më shumë që Kupa e Botës të lërë pas diçka pozitive dhe të transformojë situatën e të drejtave njerëzore në Katar. Për momentin, pavarësisht disa reformave, punëtorët emigrantë vazhdojnë të mos paguhen dhe autoritetet nuk kanë mundur të hetojnë për mijëra të vdekur gjatë 10 viteve të fundit, pasi ka një lidhje mes këtyre vdekjeve dhe kushteve të punës.

Beckham është ambassador i Unicef-it dhe për këtë arsye zgjedhja e tij për të sponsorizuar Katarin i ka zhgënjyer të gjithë. Në rrjetet sociale shumë persona kanë shkruar se Beckham ka preferuar paratë para moralit. “Ka bërë një gabim shumë të madh dhe shpresoj që ta rishikojë vendimin”, – ka thënë Peter Tatchell, aktivist i LGBT+, për “The Mail On Sunday”.

Edhe Rothna Begum, e impenjuar për të drejtat e grave, u shpreh e zhgënjyer: “Ata që paguhen për të promovuar Katarin dhe që janë në favor të grave dhe të drejtave të tyre, duhet të përdorin pozicionin e tyre dhe të informohen mirë për atë që ndodh”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë