Futboll

Humbja në derbi, akuza të forta nga Partizani për gjyqtarët dhe Tiranën

Partizani nuk mundi të dilte nga kriza e rezultateve në derbin me Tiranën, ku u mund 1-0. Pas ndeshjes, nga drejtuesit e lartë të klubit të kuq ka pasur akuza të forta për gjykimin dhe konkretisht për kryesorin Eldorjan Hamiti.

Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, e quajti Hamitin mbrojtësin e shtuar të Tiranës, ndërkohë që vuri në diskutim edhe vazhdimin e punës që bën në klubin e kuq: “Është një situatë që e përjetojmë edhe presionin. Po mendoj, nëse ia vlen të merresh me këtë punë apo jo. Tani ka edhe VAR dhe nuk është hera e parë me këtë Hamit lezhjanin. Ai është përsëritës, është ngelës. Fatkeqësisht, ka pak arbitra në Shqipëri, por mendoj që në situatën e VAR-it të ishim më të përgjegjshëm”, – theksoi Rama.

Marku dhe Seferi gjate derbit Tirana-Partizani, 1-0. Gazeta Si, 26 tetor 2021

Të kuqtë kanë pretendime për një karton të kuq të munguar ndaj Najdovskit të Tiranës, kur ai goditi në lojën pa top mbrojtësin Saliu të Partizanit. Hamiti e pa këtë episod edhe në VAR, por gjykoi se gjithçka ishte nornale dhe nuk dha asnjë ndëshkim. Në atë moment rezultati ishte 0-0 dhe sipas drejtuesve të Partizanit, ndeshja mund të merrte rrjedhë tjetër.

Rezerva nga klubi i kuq ka pasur edhe për Tiranën. Trajneri Ilir Daja u shpreh pas ndeshjes e Tirana zhduku edhe topat rezervë në fundin e lojës, me qëllimin për ta vonuar sa më shumë atë. Partizani mbetet me 4 pikë pas 6 javësh dhe tashmë kanë nisur të qarkullojnë zërat për ndryshim në stol. Derbin e ndoqi nga tribuna edhe ish-trajneri i Tiranës, braziliani Ze Maria, që nuk e ka mohuar një bashkëpunim të mundshëm me Partizanin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë