Futboll

Video/ Derbi për Tiranën, vendos një penallti me VAR. Nuk mungojnë incidentet

Derbi Tirana-Partizani u zhvillua ashtu siç pritej, i zjarrtë në të gjitha drejtimet, ndërsa në fund kanë festuar bardheblutë, të cilët kanë fituar 1-0, pas një penalltie të akorduar nga VAR-i. Nuk kanë munguar incidentet në këtë ndeshje të rëndësishme. Tifozët, të shumtë në numër, kanë hedhur në fushë flakadanë dhe shishe, ndërsa lojtarët janë kapur në ndonjë moment mes tyre.

Tirana gjeti golin e fitores në fund të pjesës së parë. Gjyqtari Eldorjan Hamiti, pasi u thirr nga VAR-i, konsideroi të parregullt një ndërhyrje të Belicës ndaj Tolit dhe akordoi penallti për bardheblutë. Vesel Limaj u tregua i saktë nga pika e bardhë dhe 1-0. Skuadra e Shehit pati më shumë inicitativë gjatë pjesës së parë të ndeshjes dhe rrezikoi disa herë portën e Hoxhës.

Në pjesën e dytë Partizani u mundua të reagonte dhe iu afrua disa herë golit, por pa mundur ta gjejë atë. Edhe lëvizjet e trajnerit Ilir Daja nuk dhanë efekt. Filipoviç dhe Zhunior nuk ia dolën të dërgonin sferën në rrjetën e portës së Bekajt. Me këtë fitore Tirana shkëputet në krye, duke u ngjitur në kuotën e 14 pikëve, 3 më shumë se Teuta dhe Kukësi që e ndjekin nga pas. Partizanin në krahun tjetër vazhdon të qëndrojë në fundin e tabelës, me vetëm 4 pikë dhe pa fitore në këto 6 javë. Një ecuri shumë e dobët e të kuqve.

Tension, flakadanë dhe shishe
Nuk munguan tensioni mes lojtarëve në fushë, por edhe incidentet. Që në fillim ndeshja u ndërpre për gati 5 minuta, pasi tifozët hodhën flakadanë në fushë. Po ashtu, edhe në një moment tjetër, kur lojtarët e dy skuadrave u përplasën me njëri-tjetrin, u panë shishe të fluturonin nga triubunat drejt fushës.

Incidente që me siguri kanë përfunduar në shënimet e inspektorëve të UEFA-s, të ardhur enkas për të monitoruar situatën me sigurinë në “Air Albania”. Dhe ky është një minus, që mund të ndikojë për finales e Ligës së Konferencës, që është programuar të luhet në këtë stadium në muajin maj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë