Aleks Pepa, i akuzuar për grup kriminal dhe vjedhje me dhunë është dënuar në mungesë nga Gjykata e Posaçme me 25 vjet burg për vjedhjen e 990 mijë eurove në vitin 2016 në pistën e Aeroportit të Rinasit.
Për këtë ngjarje, Pepa është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga “INTERPOL”-i. Ai cilësohet nga prokurorët e Krimeve të Rënda, si kreu i kësaj grabitjeje, të ndodhur para syve të shumë personave, të cilët ishin në pritje për të udhëtuar me avion drejt Italisë.
Pepa dhe dy bashkëpuntorët e tij, janë identifikuar nga analizat e ADN-së dhe qelizat telefonike, të cilat kanë vërtetuar se në 30 qershor 2016, autorët janë lokalizuar nga antenat telefonike në zonën e Rinasit.
Policia dhe prokuroria në shkurt të 2017 realizuan një kontroll të imtësishëm në banesën e prindërve të Aleks Pepa, ku gjetën 50 mijë euro brenda në frigorifer, sasi e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Në 30 qershor 2016, dy persona të armatosur, çanë rrethimin e aeroportit dhe hynë brenda territorit të tij me një automjet tip “Benz-Mercedez“ ngjyrë të kuqe.
Ata kanë pasur dhe një bashkëpunëtor të tretë, i cili i priste jashtë pistës së aeroportit me një makinë të vjedhur. Ky person, ka pasur rolin e ndihmësit, për largimin e tyre dhe humbjes së gjurmëve.
Gjatë hetimeve, prokurorët kanë zbuluar se tre autorët, kanë përdorur katër makina të vjedhura. Njërën nga makinat e vjedhura e kanë marrë në Pogradec, dy në Elbasan dhe një furgon në Durrës.
Dyshohet se Pepa, së bashku me një person tjetër, kanë këputur me darë çelësat e derës së rrethimit të Aeroportit të Rinasit dhe më pas janë futur me një automjet tip “Benz” ngjyrë të kuqe, duke u afruar te makinat e blindura të një shoqërie sigurie, e cila ishte kontraktuar nga një bankë e nivelit të dytë në Tiranë për të transportuar sasinë e eurove nga Tirana, në drejtim të Rinasit, me qëllim transferimin e shumës financiare jashtë shtetit.
Autorët kanë pasur informacion për këtë transferim parash dhe kanë hyrë me shpejtësi në Rinas. Nën kërcënimin e armëve, ata kanë sulmuar rojet e sigurisë së furgonit të blinduar ku ndodheshin eurot.
Shoferi nga frika ka hyrë poshtë furgonit, ndërkohë dy personat e veshur me të zeza, kanë arritur të hapin furgonin dhe të marrin prej andej shumën prej rreth 990 mijë euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.