Ditë të vështira për Marash Kumbullën te Roma. Mbrojtësi i Kombëtares, pas paraqitjes së dobët në ndeshjen e Ligës së Konferencës ndaj Bodo Glimt, ka përfunduar në tribunë të dielën ndaj Napolit.
Ishte një ndëshkim i paralajmëruar nga trajneri Mourinjo për Kumbullën dhe katër lojtarë të tjerë të Romës, konkretisht Rejnolds, Vilar, Diavarra dhe Borja Majoral. Një veprim që është komentuar në mënyra të ndryshme në Itali. Një nga gazetarët e njohur ka ngritur disa pikëpyetje, për Kumbullën ai është shprehur si nuk di të japë një shpjegim, përderisa me Kombëtaren e Shqipërisë ai ka treguar një nivel shumë të mirë.
Ndoshta situata mund të ndryshojë shpejt, por është e qartë se me Mourionjon në stol Kumbulla i ka punët keq, jo vetëm për faktin se portugezi preferon skemën me 4 mbrojtës, që nuk i përshtatet mbrojtësit kuqezi.

Në vështirësi është edhe Elseid Hysaj me Lacion, që këtë fundjavë u mund thellë nga Verona, 4-1. Shkodrani ishte titullar dhe u ndërrua në pjesën e dytë me Laxarin, ashtu siç ka ndodhur edhe në ndeshjen e mëparshme dhe duket se zëvendësimi për të po bëhet rrugë. Me Hysajn në fushë, Lacio kishte pësuar 2 gola, por edhe pas daljes së tij mbrojtja pati probleme dhe pësoi edhe 2 gola të tjerë. Për paraqitjen e mbrojtësit kuqezi ka pasur shpesh kritika kohët e fundit.
Rei Manaj nuk ishte mes të grumbulluarve të Specias për ndeshjen e fundit, ndërsa Nedim Bajrami përsëri e ka nisur nga stoli tek Empoli. Me këtë skuadër luajti titullar Adrian Ismajli, i cili shkaktoi një autogol, por fatmirësisht skuadra e tij fitoi 2-4 në fushën e Salernitanës, ku mungoi Frederik Veseli për dëmtim.
Dy portierët e Kombëtares, Etrit Berisha dhe Tomas Strakosha, qëndruan pushim edhe këtë fundjavë me klubet e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




