“Air Albania” pret sot derbin e parë sezonal mes Tiranës dhe Partizanit, që është njëkohësisht një test në shumë drejtime, në fushë dhe shkallët e stadiumit.
Tirana kryesuese vjen në një pozicion komod në raport me kundërshtarin, që po vuan mungesën e fitores, kur jemi në javën e 6-të të Abissnet Superiores. Për bardheblutë është i pranishëm edhe barazimi, kurse Partizani ka detyrimin të reagojë sa nuk është vonë, sepse nëse lë të tjera pikë, minimizon shanset e garës për titull që tani në fillim të kampionatit.

Mungesa të shumta në këtë sfidë ka Partizani, që do të zbresë në fushë pa Kaçen dhe Carën, titullarë në ndeshjet e deritanishme. Të dy këta lojtarë kanë pasur probleme fizike. Gjithashtu, mungojnë edhe Rrapaj në mesfushë dhe braziliani Kardozo në sulm. Te Tirana do të ketë ndryshime në sulm, ku Xhixha mendohet ta nisë nga stoli. Seferi dhe Ngo do të udhëheqin sulmin, të mbështetur nga Limaj.
Derbi starton në orën 19:45 dhe interesimi i tifozëve ka qenë shumë i madh. Mbetet të shihet sa tifozë do të lejohen të futen në stadium, ku siguria duhet të jetë në nivelin maksimal, duke qenë se të pranishëm do të jenë edhe inspektorë të UEFA-s, të cilët do të monitorojnë situatën. Pas incidenteve që ndodhën në ndeshjen Shqipëri-Poloni, “Air Albania” është nën vëzhgim dhe duhet të tregojë se e meriton finalen e Ligës së Konferencës.
Abissnet Superiore, java e 6-të
Sot, ora 19:45
Tirana-Partizani
Të dielën
Kukësi-Vllaznia 2-0
Skënderbeu-Dinamo 0-1
Të shtunën
Egnatia-Teuta 0-1
Kastrioti-Laçi 0-1
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




