Futboll

Video/ Reali bën diferencën në “El Clasico”, e zgjidh me dy mbrojtës

Dy gola të shënuar nga Alaba dhe Lukas Vaskez, të dy mbrojtës, i kanë dhënë Real Madridit fitoren në “El Clasicon” e parë pa Mesin dhe Ronaldon. Madrilenët triumfuan 1-2, ndërsa goli i Aguerros në sekondat e fundit pati vetëm vlera statistikore për katalanasit.

Dest kishte në këmbët e tij topin për të kaluar Barcelonën në avantazh, por gjuajti mbi tra nga një pozicion shumë i favorshëm në zonë. Vinicius pretendoi për një penallti, por rrëzimi i tij as nuk u pa në VAR, çka solli edhe protestat e kampin madrilen. Në një kundërsulm vrastar, Alaba, pasi rikuperoi vetë topin, shkoi të mbyllte aksionin dhe me një diagonal të fuqishme realizoi për Realin. Edhe Ansu Fati pati një rast ideal për të shënuar, por u bllokua nga mbrojtja.

Trajneri Koeman hodhi në fushë që në fillim të pjesës së dytë Koutinjon, më pas Serxhio Aguerron dhe Serxhi Roberton, në kërkim të golit të barazimit. Reali u përpoq më shumë të administronte lojën dhe kjo pjesë nuk pati shumë emocione. Edhe trajneri Ançeloti bëri lëvizjet e tij, duke hedhur në fushë Valverden, Asension dhe Dani Karvahalin.

Në minutën e 4-t shtesë, Lukas Vaskez i dha Barcelonës edhe goditjen e dytë. Pike pretendoi më parë për penallti. Goli i Aguerros në të 97-ën ka vetëm vloera statistikore për katalanasit. Reali merr një fitore shumë të rëndësishme në transfertë dhe ngjitet në vend të parë, me 20 pikë. Barcelona mbetet shumë prapa në klasifikim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë