Urdhri për kontrollin e studenteve në hyrje të fakulteteve ka funksionuar vetëm katër ditët e para të vitit akademik. Në një vëzhgim të fundit Gazetasi.al konstatoi se studentët mund të hyjnë lirisht në universitet dhe nuk kontrollohen, më së shumti ata që kanë orë mësimi gjatë pasditeve. Kjo gjë është e konfirmuar edhe nga vetë studentët. Disa prej tyre kanë treguar për Gazetasi.al se tashmë nuk kanë një kontroll për vaksinën.
“Kam dy orë pasdite dhe këtë javë vendosa të shkoj me testin e PCR në shkollë sepse nuk dua të bëj vaksinën, askush nuk më ka kontrolluar veç ditës së parë”, tregon A.L një studente e vitit të dytë në Fakultetin e Histori-Filologjisë.
Përplasjet e studentëve me policinë në këtë fakultet nisën që ditën e parë pasi studentët nuk pranonin kushtin e vaksinimit për të hyrë në fakultet. Kushti i vaksinimit nuk është ndjekur as në universitete të tjera. Një tjetër student i Fakultetit Juridik thotë për Gazetasi.al se nuk ka pasur probleme për t’u futur në universitet edhe pse është i pavaksinuar.

“Vetëm ditën e parë na pyetën dhe pastaj nuk më ka pyetur asnjë për vaksinën, pavarësisht se ka pasur roje tek dera. Jam futur në auditor lirisht. Vetëm ditën e parë nuk bëra mësim”, shtoi L.S. I riu shtoi më tej se ka kaluar infeksionin e Covid-19 më parë dhe nuk e shikon të arsyeshme për ta bërë vaksinën kur prapë ekziston mundësia të infektohet dhe ka dëgjuar se imuniteti natyral është më i fortë se vaksina.
Vërtetimi i vaksinimit nuk i është dashur as dy studentëve të tjerë në Fakultetin e Shkencave Natyrore të cilët i thanë Gazetasi.al se nuk ndjejnë asnjë detyrim për të bërë vaksinën dhe siç thonë ata “fatmirësisht vetëm ditën e parë na u kërkua pastaj nuk kishim nevojë”.

Gazetasi.al konstatoi që vendimit të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve i janë përmbajtur deri tani vetëm Universiteti Politeknik dhe Universiteti Bujqësor.
“Kam tre ditë që nuk hyj në mësim sepse nuk kam bërë vaksinë. Nuk kam pse bëj vaksinën kur e kam kaluar Covid-19. Tani jam mirë dhe nuk i infektoj as të tjerët. S’kam pse bëj vaksinë kot. Vetëm në auditorë ka virus në koncertet e këtyre nuk ka”, tregon Xh.M një studentë në Universitetin Bujqësor.
Arsyet e studentëve për mosvaksinimin kanë qenë të ndryshme dhe numri i studentëve të vaksinuar ka qenë i ulët. Nga të dhënat e ISHP rezulton që janë vaksinuar vetëm rreth 30% e qytetarëve nga mosha 18-30 vjeç, ku bëjnë pjesë edhe studentët. Të dhënat e Universitetit të Tiranës treguan se rreth 50% e studenteve ishin të vaksinuar, ndërsa të dhëna të përgjithshme për të gjithë studentët në vend ende nuk ka.
Sakaq mos vaksinimi i studentëve vijon edhe pse ata ishin paralajmëruar se nuk do të mund ta nisnin vitin akademik në auditorë nëse nuk kishin marrë një dozë vaksine.
Vendimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sporti duket se nuk është marrë parasysh edhe nga disa universitete privatë, të cilat i kanë lejuar studentët të futen në auditorë pa vërtetimin e vaksinës, apo një vërtetim tjetër që tregon se nuk janë mbartës të Covid-19.
Të parët që thyen vendimin ishin universitetet e rretheve ku të gjithë, me përjashtim universitetin e Vlorës, i pranuan studentët në auditorë pa kërkuar asnjë lloj dokumenti që vërtetonte gjendjen e tyre shëndetësore. Ndërkaq absurditeti është se në dyert e universiteteve ka policë “kontrolli” por nuk i afrohen studentëve për t’i kontrolluar.
Siç treguan studentët për Gazetasi.al mjafton që të kesh maskë në fytyrë dhe futesh lehtësisht në auditor. Si rrjellojë të këtyre ngjarjeve dhe prezencës së virusit në vend, Ministria e Arsimit, apo edhe ajo e Shëndetësisë duhet të na thonë pse marrin vendime kur nuk zbatohen…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



