Në prag të garës së Austin, Formula 1 ka publikuar rezultatet e një sondazhi të bërë në 2021-shin nga një kampion prej 167 mijë të apasionuarish pas këtij sporti. Vihet re një rritje e interesit nga ana e të rinjve për F.1 dhe nuk mungojnë surprizat në preferencat e tyre.
Më shumë se 167 mijë të apasionuar të Formulës 1 nga 187 vende të ndryshme. Ky është kampioni i sondazhit të realizuar nga “Nielsen Sport e Motorsport Network” për llogari të F.1, rezultatet e të cilit janë publikuar pak orë para Çmimit të Madh të Amerikës, në Austin. Një sondazh, më i madhi i bërë ndonjëherë në sektorin sportiv, që konfirmon pasionin e njerëzve për F.1. Sipas 90% të të intervistuarve, ky sport është kthyer si kategoria më e rëndësishme e motorsportit.

Duke parë rezultatet, dallon menjëherë surprizat dhe e para është ajo për pilotët. Ndoshta mendonit se të fitosh tituj botërorë dhe të arrish 100 suksese mjafton për të qenë më popullori mes 20 pilotëve, por gaboheni. Është Maks Vershtapen piloti më popullor, i ndjekur nga Lando Norris, që pëlqehet më shumë nga pjesa femërore e të intervistuarve. Ljuis Hemilton është i treti në këtë klasifikim, më i preferuar nga ata që janë mbi 35 vjeç.
Sondazhi i bërë nëpërmjet internetit ka tërhequr vëmendjen e më të rinjve. Gati 35% e të intervistuarve janë 16-24 vjeç, ndërsa fashat e moshës 35-44 dhe mbi 45 vjeç nuk mbulojnë së bashku 40% të kampionit. Kjo është një fitore e vogël për Formulën 1, që më parë konsiderohej një sport për të vjetrit. Kështu shpjegohet edhe fakti që Vershtapen dhe Norris, dy më të preferuarit, janë nga pilotët më të rinj në moshë. Ata kanë mundur edhe yje, si Hemilton, Fetel, Alonso dhe Raikonen.

Surprizuese janë edhe rezultatet për skuderitë më popullore. Për shkak të “agjerimit” të gjatë, Ferrari mban vendin e tretë në këtë klasifikim. Në krye nuk është Mercedesi (i katërti), as sfidanti Red Bull (i dyti), por MekLareni. Skuderia nga Uoking merr benefitet e efektit-Norris, por edhe të një personazhi veçanërisht të dashur, si Daniel Riçardo, një nga pilotët më popullorë (i dyti më i dashur nga femrat).
Ka ndryshuar ndërkohë edhe opinioni për Formulën 1, që më parë konsiderohej “e korruptuar” dhe “e mërzitshme”, kurse tani është “emocionuese”, “kompetitive” dhe “argëtuese”, por edhe “e kushtueshme” dhe “teknologjike”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




