Milani nuk po arrin të marrë ende pikën e parë në Grupet e Ligës së Kampionëve. Edhe në ndeshjen e tretë kuqezinjtë kanë dalë të mundur, duke mbetur në kuotën e 0 pikëve në Grupin B. Skuadra e Piolit u mund 1-0 nga Porto, pas një goli të shënuar nga Luis Diaz në pjesën e dytë. Edhe këtë herë Milani ka protestuar për gjykimin, konkretisht për një faull para se të shënohej goli nga portugezët.
Matematikisht Milani ka ende shanse, por kualifikimi duket shumë i vështirë. Liverpuli ka mundur edhe Atletikon dhe është shkëputur në krye me 9 pikë në krye. “Të kuqtë” fituan 2-3 në Madrid, me 2 gola të Salah dhe 1 të Keita. Grizman barazoi përkohësisht rezultatin me 2 gola të shpejtë, por pastaj u ndëshkua me karton të kuq për një faull shumë të ashpër, duke e lënë skuadrën me 10 vetë. Atletiko mbetet në kuotën e 4 pikëve, po aq sa ka edhe Porto.
PSG-së në Grupin A iu desh të përmbyste disavantazhin në ndeshjen me Lajpcigun, ku fitoi 3-2. Francezët ia dolën falë një dopiete të Lionel Mesit në pjesën e dytë. Mbape e kaloi PSG-në në avantazh shumë shpejt, por gjermanët reaguan mirë dhe shënuan dy herë, megjithatë ishin të pafuqishëm për ta ruajtur rezultatin deri në fund. Në kohën shtesë Mbape humbi edhe një 11-metërsh.
Interi ka marrë fitoren e parë në Grupin D, pasi ka mundur moldavët e Sherif Tiraspolit me rezultatin 3-1. Xheko, Vidal dhe De Vrij realizuan golat për skuadrën e Inzagit që ngjitet në kutën e 4 pikëve dhe mban vendin e tretë aktualisht, pas Reelit dhe Shakhtarit. Reali fitoi thellë në Ukrainë, 0-4 ndaj Shaktarit.
Një fitore te thellë ka arritur edhe Ajaksi ndaj Borusias së Dortmundit, 4-0. Në dy ndeshjet e luajtura më parë, Mançester Siti dhe Sportingu i Lisbonës fituan me goleada në transfertë, përkatësisht ndaj Bryzhit dhe Beshiktashit.
Liga e Kampionëve, ndeshjet e treta në grupe
Sot
Beshiktash-Sporting 1-4
Bryzh-Mançester Siti 1-5
Ajaks-B.Dortmund 4-0
Atl.Madrid-Liverpul 2-3
Porto-Milan 1-0
Inter-Sherif Tiraspol 3-1
PSG-Lajpcig 3-2
Shakhtar D.-Real Madrid 0-5
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




