Novak Gjokoviç mund të heqë dorë nga objektivi i Grande Slam-it, pasi kryeministri i Shtetit të Viktorias ka bërë me dije zyrtarisht se në “Australian Open” do të marrin pjesë vetëm tenistët e vaksinuar. "E vërteta është se nuk e di, nëse do të luaj apo jo, situata nuk është aspak e mirë. Pas dy ose tri javësh do të marr një vendim përfundimtar”, - ka thënë numri 1 në botë në një intervistë të fundit për “Blic”.
"Për mua është e tmerrshme që shoqëria të gjykon në bazë të një vaksine, - ka vazhduar tenisti serb, që gjithmonë ka qenë skeptik për vaksinën. – Nuk dua të marr pjesë në një luftë që po bëjnë mediet për këtë çështje. Nuk do ta zbuloj, nëse jam i vaksinuar apo jo".
Australia është një nga vendet që ka marrë masa më të forta shtrënguese për luftën ndaj Covid-19 dhe nuk ka në plan ta ulë vigjilencën, duke bërë tolerime. "Nuk besoj se një tenist i pavaksinuar do ta marrë viston për të hyrë në vendin tonë, - ka thënë kryeministri i Viktorias, Daniel Andrjus. – Virusit nuk i intereson se çfarë vendi zë në klasifikim, apo sa Slam-e ke fituar. Dhe nëse jepet një visto për dikë, duhet t’i nënshtrohet karantinës për disa javë".
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.