Propozimi i “Conmebol”-it (Konfederatës së futbollit amerikano-jugor) për të shtuar pushimin mes pjesëve në ndeshjet e futbollit nga 15 në 25 minuta, duke ofruar një tip trajtimi mbi modelin e sporteve amerikane, do të diskutohet më 27 tetor.
Diskutimi do të bëhet nga “International FA Board”, organi që përcakton çdo lloj modifikimi apo inovacioni të rregullave të lojës së futbollit dhe më pas do të merret një vendim. Një zgjatje e pushimit në 20 minuta është propozuar edhe nga FIFA në vitin 2009, por në atë kohë kjo hipotezë u hodh poshtë nga organi i përmendur më lart.

Aktualisht, ligji numër 7 thotë se “lojtarët kanë të drejtën të bëjnë një pushim jo më të gjatë se 15 minuta”. Kërkesa e organit që qeveris futbollin amerikano-jugor është në rendin e ditës në mbledhjen e konsulentëve dhe eksertëve të IFAB-it.
Duket e vështirë që të ketë një zgjatje të pushimit edhe 10 minuta më shumë, sepse do të shkaktonte mërzi për tifozët në shkallët e stadiumit, megjithatë duhet pritur vendimi zyrtar më 27 tetor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




