Futboll

Video/ Fitorja bëhet makth për Partizanin, barazimi i 4-t radhazi me Kukësin

Partizani priti Kukësin në “Air Albania” për javën e 5-të të Abissnet Superiores, por edhe në stadiumin e ri të kuqtë nuk kanë mundur të zhbllokohen dhe të marrin fitoren e parë të kampionatit. Ata kanë barazuar 1-1 me Kukësin dhe ky është barazimi i 4-t radhazi në 5 javë, ku të kuqtë kanë edhe një humbje.

Gjatë pjesës së parë nuk pati gola dhe rasti që vlen të veçohet është fikja e prozhektorëve për gati 3 minuta, çka solli edhe ndërprerjen e ndeshjes. Partizani bëri një ndërrim të detyruar pas 14 minutash, ku Cara mori vendin e brazilianit Kardozo të dëmtuar. Kukësi ishte afër golit më Ndrecën dhe me Basën në fundin e kësaj pjese.

Ishte kavajasi Cara që i dha avantazhin ekipit të Dajës në minutën e 65-të, por vetëm 5 minuta zgjati gëzimi te Partizani, sepse Kukësi barazoi pas një aksioni model me Feijanon. Kryeqytetasit humbën një shans të artë në minutat shtesë, kur portieri Tafas shpëtoi Kukësin nga goli, duke gushtuar një goditje të rrezikshme me kokë.

Para ndeshjes, lojtarët e Partizanit kanë nderuar punëtorin historik të fushës, Bajram Ferra, i ndarë nga jeta ditët e fundit. Ata kanë vendosur tufa me lule pranë një posteri të madh me portretin e Ferrës.

Partizani nderon punetorin e fushes, Bajram Ferra, i ndare nga jeta ditet e fundit. Gazeta Si, 17 tetor 2021

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë