Rektori i Universitetit të Tiranës Artan Hoxha deklaroi se të hënën do të nisë mësimi në auditorë duke respektuar të gjithë rregulloren e përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë. Hoxha shpjegoi se të gjithë studentëve iu është dërgur një pyetësor për sa i përket verifikimit të statusit të vaksinimit.
“Pyetësorit i janë përgjigjur rreth 60% e studentëve dhe deri tani konsiderohet se Universiteti i Tiranës ka numrin më të madh të studentëve të vaksinuar me 50% (20.000 studentë). Më të vaksinuar janë studentët që sapo nisin vitin e parë Bachelor”, u shpreh Hoxha.
Më tej rektori tha se studentët që nuk janë të vaksinuar do të pranohen në auditore duke dorëzuar testin negativ PCR, dokument që e kanë kaluar Covid-19, ata që nuk mund të bëjnë vaksinën për shkak të gjendjes shëndetësore dhe studentët që kanë marrë vetëm një dozë vaksine.
“Mësimi online nuk u lejua për shkak se ka studentë që nuk e njohin auditorin. Ka studentë që nuk e kanë shkelur auditorin, ndaj referuar edhe urdhrit të ndryshuar të Ministrisë së Shëndetësisë, do të heqim përkohësisht mësimin “online”, por do të shohim përgjigjen e studentëve dhe do të kemi vendime të tjera, për mos të rrezikuar vitin akademik për studentët e pa vaksinuar. Për momentin, do të zbatojmë urdhrin e botuar në Fletoren Zyrtare. Mësimi online, edhe pse është përmirësuar në mënyrë cilësore dhe komunikimi student-pedagog ka qenë i mirë, gjithsesi ky lloj komunikimi, nuk është ai normali, kështu që ajo që kemi konstatuar është dhe një dëshirë, padurim që studentët t’i kthehen auditorit”, u shpreh Hoxha.
Duke folur më tej për procesin mësimor në Universitetin e Tiranës, Hoxha shpjegoi se po punohet me intensitet që disa programe studimi të zhvillohen në gjuhen angleze duke krijuar kështu edhe mundësinë për të pritur studentë të huaj nga jashtë.
“Çdo cikës studimi do të vijojë mësimin më 18 tetor, përveç masterit të vitit të parë që do të nisë më 10 nëntor. Në Universitetin e Tiranës edhe me mbylljen e fazës së dytë të studimeve janë ezuruar 3312 kuota dhe janë ende edhe 1221 kuota të lira për programe të ndryshme. Këtë vit ka rreth 100 studentë më shumë se viti i shkuar, gjë që tregon interes të lartë nga studentet për Universitetin e Tiranës”, shpjegoi Hoxha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



