Futboll

Shishet në fushën e “Air Albanias”, rreziku që vjen nga kateringu

Breshëria e shisheve që vërshuan në fushën e stadiumit “Air Albania” sapo Polonia shënoi golin e fitores ndaj kuqezinjve, shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes për 25 minuta. Ato pamje të shëmtuara bënë xhiron e botës dhe dënimi nga FIFA është i pashmangshëm.

FSHF-ja ka reaguar zyrtarisht, ka pranuar përgjegjësitë dhe ka apeluar për më shumë kujdes, aq më tepër kur jemi në një fazë monitorimi nga UEFA, pasi në muajin maj “Air Albania” do të presë finalen e parë të Ligës së Konferencës. Po çfarë ndodhi konkretisht? Nga erdhën ato shishe, kur kontrollet ishin shumë të rrepta para hyrjes së stadium dhe çfarë duhet bërë për ta eleminuar këtë rrezik?

Nje lokal brenda stadiumit “Air Albania”. Gazeta Si, 14 tetor 2021

“Ato shishe nuk erdhën nga jashtë stadiumit”, – thotë për Gazeta Si një burim pranë departamentit të sigurisë në stadium. “Ajo ngjarje është në fazë vlerësimi dhe ende nuk janë nxjerrë konkluzionet. Ato do të dalin pasi të analizohet me kujdes gjithçka, të gjitha pamjet filmike. Brenda stadiumit ka katering, tavolina ku shërbehet në pushim të ndeshjes për tifozët dhe këtu fillon problemi, që në fakt është kompleks”, – vazhdon më tej i njëjti burim.

Kateringu apo lokalet brenda stadiumeve tashmë janë diçka normale në Europë. Sipas rregullores për sigurinë, tifozëve në stadium mund t’u shitet ujë në shishe plastike, por pa tapë, ndërsa në rastin më të mirë ata duhet ta marrin ujin në gotë plastike. E njëjta marrëveshje vlen edhe në rastin e “Air Albanias” mes sektorit të sigurisë dhe lokaleve apo kateringut.

Rojet e sigurise gjate nje ndeshjeje. Gazeta Si, 14 tetor 2021

“Tifozëve nuk duhet t’u jepet ujë apo pije të tjera në shishe plastike, – vazhdon drejtuesi i sigurisë për Gazeta Si, duke prekur thelbin e gjithë problemit. – Me tapë është shumë keq, por edhe shishet pa tapë krijojnë rrezik, sepse shishja me lëng brenda ka peshë, mund të hidhet dhe të godasë persona të ndryshëm. Për këtë pjesë ka një marrëveshje, por jo të gjithë e zbatojnë atë. Rojet e sigurisë nuk kanë shans t’i kontrollojnë gjithë tifozët.

Ujin për tifozët normalisht duhet ta hedhin në gota plastike, por dikush përton dhe… Sigurisht që kjo punë do të rishikohet për të pasur më shumë siguri dhe për të shmangur problem. Ne kemi marrë gjobë edhe për Francën, pasi u hodh një shishe me ujë në fushë. Do të kërkojmë nga subjektet brenda stadiumit që të jenë sa më korrektë për këtë pjesë, në të kundërt do të bllokohen”.

Momenti kur lojtaret polake goditen me shishe. Gazeta Si, 14 tetor 2021

Drejtuesi i sigurisë bën me dije më tej se për ngjarjen në fjalë ka nisur tashmë një hetim nga policia: “Hedhja e sendeve në fushë gjatë ndeshjes përbën vepër penale dhe për atë që ndodhi ndaj Polonisë ka nisur një hetim. Policia ka qenë në stadium një ditë pas ndeshjes dhe ka nisur punën për evidentimin e personave që shkaktuan atë incident. Pra, përveç masës disiplinore në këtë rast, ka edhe një çështje penale për personat që kanë bërë shkelje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë