Futboll

Ish-portieri i njohur mbron Strakoshën: Mëkat ta braktisësh, është kapital i klubit

Në mbrojtje të portierit të Kombëtares dhe Lacios, Tomas Strakoshës, ka dalë së fundi edhe një nga ish-portierët legjendarë të këtij klubi, Marko Balota, i cili ka luajtur deri 40 vjeç. Ai është shprehur për “cittaceleste” se Strakosha është një kapital dhe kurrësesi nuk duhet braktisur. Për këtë Balota ka treguar edhe një histori të ngjashme personale.

“Stafi teknik ka bërë një zgjedhje, titullar është Reina. Për mendimin tim, duhet mbrojtur kapitali i klubit, që është Strakosha. Është në prag skadence kontrate dhe edhe nëse dëshiron të largohet, mund t’i sjellë të ardhura klubit. Unë do të riprovoja, është mëkat ta braktisësh tani, i duhet dhënë besim.

Marko Balota, ish-portier i Lacios. Gazeta Si, 14 tetor 2021

Kam përjetuar një situatë të tillë me Muslerën. Unë nuk duhej të luaja, por ai po shkonte keq. Luajta për pak ndeshje dhe më pas u riprovua Muslera, por përsëri gjërat nuk shkuan mirë dhe në atë pikë u vendos që të luaja deri në fund të kampionatit. Por vitin pasardhës Muslera luajti shumë mirë dhe sot vazhdon të luajë ende. Nuk do ta hidhja në rrugë një kapital të klubit”, – është shprehur Balota.

Portieri kuqezi ka kaluar një periudhë të vështirë pas humbjes së vendit të titullarit te Lacio. Ai bëri edhe një gafë në Ligën e Europës. Stafi teknik i dha sërish besim në këtë kompeticion, tifozët po ashtu e mbështetën nga shkallët e stadiumit, megjithatë në kampionat vazhdon të luajë Reina. Edhe në Kombëtare titullari është Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë