Arsim

Të hënën nis mësimi në universitete. Por ende s’dihet si do të bëhet verifikimi i studentëve të vaksinuar

Të hënën do të nisë mësimi për universitetet dhe studentët duhet të jenë të vaksinuar për të marrë pjesë në auditor.
Erinda Nelaj nga Instituti i Shëndetit Publik i tha Gazetasi.al se rreth 30% e grup moshës 18-30 vjeç ku bëjnë pjesë edhe studentët kanë marrë dozën e parë të vaksinës. Nelaj shpjegoi për Gazetasi.al se gjatë kësaj kohe interesi për vaksinim ka qenë i lartë por duhet parë si do vijojë procesi.

Specialistja e Institutit të Shëndetiti Publik, Erida Nelaj

Në një pyetësor mbi përshtypjen e studentëve për mësimin online dhe vitin e ri akademik 2021-2022, të realizuar nga Bordi Kombëtar Studentor dhe i publikuar nga Portalistudentor.al, është konstatuar se rreth 30% e studentëve në Universitetin e Tiranës janë të vaksinuar. Gjetjet tregojnë gjithashtu se shkallën më të lartë të pjesëmarrjes në vaksinim e ka Universiteti i Tiranës me 231 studentët të vaksinuar, ndjekur nga Universiteti i Mjekësisë me 101 studentë të vaksinuar. Ndërsa të fundit në radhitje renditet Universiteti Bujqësor me 20 studentë të vaksinuar. Pyetësori është realizuar në datat 26-27 shtator të këtij vitit.

Nga ana tjetër në rrjete sociale ka vijuar prej kohësh një fushatë për mos vaksinimin e studentëve e cila ndikon drejtpërdrejt tek procesi i vaksinimit të studentëve dhe komentet në “favor” të mos vaksinimit janë të shumta e të ndryshme.


Më herët zëvendësministrja e shëndetësisë Mira Rakacolli ka shpjeguar se studentët duhet të jenë të vaksinuar që të zhvillojnë mësimin në auditorë. Ajo ka shpjeguar se në përqindjen e ulët të studentëve të vaksinuar kanë ndikuar informacionet e rreme që janë shpërndarë në rrjetë sociale, duke bërë që studentët të jenë skeptik ndaj vaksinimit. Për sa i përket kësaj pjese Rakacolli ka shpjeguar se do të ketë specialistë shkencor në çdo auditor për të shpjeguar çdo pyetje në mënyrë shkencore që studentët kanë.
Ndërkaq ende nuk ka asnjë vendim nga rektorati i Tiranës se si do të verifikohen studentët e vaksinuar dhe te pa vaksinuar, si do të kryhet procesi mësimor me studentë në auditore dhe ata online dhe a do të kërkohet certifikata e vaksinimit në çdo hyrje-dalje në universitet?
Në një prononcim Ksanela Stofiroksi, rektore Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës u shpreh se do të merren vendime se si do të vijojë procesi mësimor për studentët e pa vaksinuar pasi të kryhet verifikimi i studentëve që janë të pajisur me teste apo vaksina. Ajo ka shtuar më tej se studentët do të pranohen edhe me një dozë vaksinimi dhe në auditorë do të jenë me maska, sikurse mësuesit dhe stafi administrativ.

Duke u nisur nga dyzimi i studentëve për të bërë vaksinën, Gazetasi.al ka pyetur pranë autoriteteve shëndetësore se si do të vijojë procesi i vaksinimit përtej javës dhe muajit të hapur, apo se çfarë masash do të merren për të nxitur vaksinimin tek kjo popullatë që është mjaft skeptike për efikasitetin e vaksinës, por ende nuk ka marrë një përgjigje. Ajo që dihet 4 ditë para nisjes së vitit të ri akademik, në Shqipëri nuk e dimë se sa studentë janë vaksinuar me një dhe dy doza dhe sa janë të pavaksinuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë