Sikur të mos mjaftonte dëmtimi i portierit Maignan, i cili ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale në dorë, Milani ka humbur edhe një tjetër pjesë të rëndësishme. Teo Hernandez ka dalë pozitiv me Covid-19, duke e bërë situatë emergjente për trajnerin Stefano Pioli.
“Teo Hernandez, pas rikthimit nga kombëtarja, ka rezultuar pozitiv në një tampon të kryer dhe për këtë janë njoftuar autoritetet shëndetësore kompetente. Futbollisti është në gjendje të mirë”, – shkruan klubi i Milanit në një njoftim zyrtar.

Mbrojtësi anësor është lojtari i radhës nga kombëtarja franceze që është prekur nga Covid-i gjatë javëve të fundit, pas Zhiru, Kante dhe Rabiot. Teo Hernandez ka dalë “pozitiv fals” gjatë janarit të kaluar. Ai ka humbur ndeshjen e së shtunës me Veronën në “San Siro”, me shumë mundësi edhe transfertën e së martës në Ligën e Kampionëve me Porton.
Shpresohet që francezi të jetë gati për Milanin në transfertën e Bolonjës më 23 tetor. Pioli është në emergjencë të plotë, pasi Ibrahimoviç nuk është ende plotësisht gati, kurse Kruniç, Florenci, Bakajoko, Mesias, Maldini dhe Plizari nuk janë të disponueshëm. Është rikuperuar Zhiru, ndërkohë që ka shpresa edhe për Kalabrian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




