Arsim

Kushi për konfliktin e mësueseve: Po hetohen, nuk mund t’i përjashtojmë me një të kërcitur të lapsit

Konflikti i dy mësueseve të shkollës “Çajupi” që degjeneroi në sherr mes familjarëve të tyre në rrugë nuk mund të mos debatohej në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Gjatë dëgjesës me Ministren e Arsimit, Evis Kushi, deputeti i PD-së Luçiano Boçi e pyeti se pse nuk pati një reagim nga Ministria.

“Zyra Arsimore ka bërë një reagim dhe ka marrë masë ndaj dy mësuesve. U përdor një kohë e caktuar për ta verifikuar ngjarjen me policinë. Sepse jo gjithmonë lajmet në media janë 100% të vërteta. Jo me një të rënë të lapsit mund të hiqet mësuesja. Ne e verifikuam me policinë dhe gjykuam që mësueset të pezullohen dhe më pas të shkarkohen. Respektojmë institucionet. Ka hierarki, struktura që janë të parashikuara për të ndërmarrë veprime. Dhe trajtimin psikologjik po e bëjmë, kemi ngritur një grup pune. uroj të mos ndodhin ngjarje të tilla, është shumë e rëndë. E kuptoj dhe për prindërit është shqetësim i lartë, ndonëse nuk ka ndodhur brenda ambienteve të shkollës është shumë e rëndë”, tha ministrja e Arsimit.

Por Boçi theksoi se sistemi arsimor në vend nuk i përmbush standardet europiane dhe se shqetësimet kryesore sipas tij janë rënia e numrit të fëmijëve të regjistruar në klasë të parë, braktisja e shkollave, mbyllja e disa prej tyre, shërbimi psiko-social etj.
Ministrja Kushi shpjegoi se këtë vit ka 500 kuota shtesë për të zëvendësuar mësuesit. Ajo tha se në shkollat e vendin ka rreth 4672 nxënës me aftësi ndryshe në sistemin para universitar dhe 1300 mësues ndihmës për ta.
Për sa i përket shërbimit psiko-social për pandeminë, ministrja tha se ka pasur protokolle specifike jo vetëm për nxënësit por edhe mësuesit.
“E kemi filluar që pas tërmetit sepse dhe tërmeti ishte një ngjarje që shkaktoi trauma të rënda dhe që atëherë vepruam për këto programe specifike. Atëherë morëm vendimin dhe për ta dyfishuar numrin e punonjësve psiko-socialë. Këndi i psikologut është pikërisht për këtë arsye që prindërit apo nxënësit mund të komunikonin me njëherë në kohë reale me punonjësit socialë edhe gjatë mësimit online”, tha ajo.

Deputetet e Partisë Demokratike akuzuan se mësuesve iu është ushtruar presion gjatë kohës së fushatës për të votuar në emër të partisë socialiste, ndërsa ministrja Kushi tha se kjo nuk ishte e vërtetë.
Më tej duke folur për shifrat e regjistrimeve në klasat e para Ministrja Kushi tha se janë regjistruar 31 mijë e 143 nxënës për vitin 2020-2021 me rreth 773 nxënës më pak se viti i shkuar. Por këto shifra u kundërshtuan nga deputeti Boçi i cili tha se gjatë vitit 2020-2021 janë regjistruar 10.000 nxënës më pak se vitin e shkuar.
Ndërsa pyetjes për çështjes së rregullimit të klasave kolektive, Ministrja Kushi u përgjigj se 21 mijë nxënës mësojnë në klasa kolektive këtë vit, ndërsa në 2009-ën numri ka qenë 45 mijë. Sa i takon braktisjes së shkollës Kushi tha se është 0.56% për ciklin fillor.
Më tej në Komisionin e Edukimit dhe Informimit, u fol edhe për sigurinë në shkolla. Sipas Ministres Kushi në arsimin para universitar janë vendosur 144 oficerë policie, për ofruar siguri në shkolla.
“Kemi 144 oficerë sigurie. Gjithashtu është lidhur një marrëveshje me Ministrinë e Brendshme dhe ka një bashkëpunim të ngushtë më stafin në shkollë. Shpesh rastet që janë problematike i referohen oficerit të sigurisë nga punonjësit psiko-social. Pra kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe rastet e nxënësve që mund të jenë problematike i referohen punonjësit psiko-social për të parandaluar më tej ngjarje shqetësuese në shkollë”, tha Kushi.
Por sipas deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa, është një numër shumë i ulët për 1400 shkolla të nivelit para universitar. Zhupa tha se në përllogaritje rezulton të kemi 1 polic për 10 shkolla.!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë