Media Galeri

Prej vitesh me një gomë në qafë, drerit-dem i priten brirët

Zyrtarët e Colorado Parks dhe Wildlife në SHBA, e kishin parë atë për vite me radhë, teksa dreri-dem, vetëm katër vjeç e gjysmë, endej mes kafshëve të egra të parkut me një gomë të varur në qafën e tij.

Tre përpjekjet e fundit nga autoritetet e parkut për ta liruar ishin të padobishme. Të paktën deri të shtunën më 9 tetor, kur dreri-dem duhej të paguante faturën më të rëndë: brirët e tij.

Kafsha, e cila peshonte 270 kilogramë, ishte endur me gomë rreth qafës për disa vjet dhe ishte vënë re disa herë nga ambientalistët e parkut.

Të shtunën, gjatë një takimi tjetër pranë Denverit, ata arritën ta kapnin dhe ta ndihmonin. Vështirësia e parë, megjithatë, ishte se si të lirohej, pasi çeliku i pranishëm në gomë e bënte të pamundur prerjen e saj pa rrezikuar jetën e kafshës.

Zgjidhja, për ta mbajtur në jetë, ishte prerja e brirëve të tij, të cilët, duke llogaritur edhe peshën e gomës, e liruan atë nga rreth 16 kg shtesë. Jo një humbje e vogël.

Në fakt, brirët janë të domosdoshëm për drerët gjatë kësaj periudhe të vitit për ta lejuar atë të çiftëzohet para fillimit të dimrit dhe para se t’i humbasë ato natyrshëm në funksion të ardhjes së pranverës.

Për më tepër, prania e gomës nuk kishte pasur ndonjë efekt të dukshëm në shëndetin e kafshës e cila, për habinë e të gjithëve, nuk kishte pësuar ndonjë plagë të dukshme në qafë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë