Me 21 pikë pas 8 ndeshjesh, Gjermania është kombëtarja e parë që kualifikohet për në Botërorin e Katarit, që do të organizohet në 2022-shin. E para e kualifikuar nga fusha dhe e dyta, pas Katarit si vend organizator.
Gjermanët fituan 0-4 në Shkup ndaj Maqedonisë së Veriut, që e kishte surprizuar në ndeshjen e parë. Skuadra e trajnerit Hansi Flik është e shkëputur nga Rumania e vendit të dytë, me 13 pikë.
“Pancerat” kanë marrë “hak” ndaj maqedonasve për humbjen e turpshme në fushën e tyre në mars, i vetmi hap fals në rrugëtimin e deritanishëm. Gjermania synon të hapë një faqe të re, pas dështimit në Europianin e fundit. Pavarësisht një pjese të parë të dominuar, gjermanët nuk mund të shënonin.
Goleada duket se ishte shtyrë për në pjesën e dytë, ku Havertz zhbllokoi shifrat. Më pas shpërtheu Timo Verner me një dygolësh brenda tre minutash dhe për të rrumbullakosur rezultatin pokeristik mendoi Jamal Musiala në minutën e 83-të me një gjuajtje të bukur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




