Ish-drejtori i RTSH-së, Thoma Gëllçi dhe tre punonjës të këtij institucioni do të mbeten në burg. Gjykata e Posaçme nuk e ka ndryshuar masën e sigurisë për katër të ndaluarit, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.
Thoma Gëllçi u arrestua më 8 tetor 2021 së bashku me tre punonjës të TVSH, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Sipas Prokurorisë, ish-zyrtari i lartë i televizionit publik, i cili financohet nga buxheti i shtetit, akuzohet për shkeljet e konstatuara në procedurën e hapur të prokurimit me objekt blerje pajisjesh për kanalin RTSH -gro, me fond rreth 87 milionë lekë të zhvilluar në datën 9 nëntor 2018.
Gëllçi i cili është shkarkuar nga detyra në vitin 2018 kur edhe ndodhën shkeljet, sipas SPAK, akuzohet se ka kryer veprën penale ”shpërdorim detyre”, pasi me veprimet dhe mosveprimet e tij ka lejuar parregullsi dhe shkelje në procedurën e tenderit.
Për të njëjtën çështje në pranga kanë rënë edhe tre punonjësit e RTSH-ë, Julian Tapia, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj me akuzën “shkelje të barazisë në tenderë”.
Po ashtu, KLSH ka konstatuar sipas SPAK, se oferta e dhënë nga kompania e shpallur fituese nuk përmbushte kriteret dhe duhej eliminuar që në fillim, por në vend të këtij vendimi, Gëllçi dhe tre anëtarët e KVO-së e kanë shpallur tenderin të rregullt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.