Javën e kaluar filloi mësimi normal, me orët 45 minutëshe dhe pa turne. Kjo gjë shqetësoi, si çdo fillimviti, prindërit e fëmijëve me spektrin e autizmit.
Eglantina Bajrami, drejtoreshë e Klubit të Fëmijëve me Spektrin e Autizmit, së bashku me prindërit e fëmijëve dhe persona të tjerë, bënë një peticion drejtuar Ministrisë së Arsimit me disa pika të përfshira ku më kryesorja është se fëmijët me spektrin e autizmit nuk kanë një mësues mbështetës, një problematikë që herë është zgjidhur, e shumë herë të tjera është lënë në harresë.
Sipas Bajramit, në vendin tonë ka 5000 fëmijë me aftësi të kufizuara që frekuentojnë shkollën dhe nga këto, 1770 janë fëmijë me spektrin e autizmit, 35.4% e tyre.
“Shifrat gjithsesi janë më të larta pasi këto janë vetëm shifra të deklaruara dhe ka shumë më shumë fëmijë që kanë nevojë për një mësues mbështetës”.
Ku qëndron problemi ndër vite?
Mësuesit mbështetës janë me kontratë 1 vjeçare dhe çdo vit ata duhet të aplikojnë në portal dhe zgjidhen në varësi të nevojave që kanë shkollat.
“Vitet e tjera kishte mësues, por mësuesi vinte në mars në shkollë pasi në tetor-nëntor bëhej vlerësimi i nxënësve, në janar bëhej emërimi i mësuesve, në shkurt ishin procedurat, në mars vinte mësuesi dhe në maj mbaronte”, thotë Bajrami e cila shton se në kohën kur Lindita Nikolla ishte Ministre e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit kanë bërë kërkesën që vlerësimi i fëmijëve të bëhet në fund të vitit shkollor në mënyrë që mësuesit mbështetës të ishin në shkollë që në fillim të vitit akademik.

Pas kërkesës së prindërve, Ministrja Nikolla në atë kohë dha një udhëzim ku u krijua një grup pune që përbëhej nga përfaqësues të Ministrisë dhe Organizatës së Klubit të fëmijëve me spektrin e autizmit dhe u bënë verifikime në të gjitha shkollat e vendit.
“Gjërat funksionuan siç duhej në fillim. Pasi Nikolla e largua, udhëzimi u harrua dhe vazhdon në të njëjtën situatë siç është edhe sot”.
Pas peticionit dhe takimit me përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, ditën e sotme (e hënë) Bajrami u njoftua nga Drejtoresha e ZVA (Zyra vendore Arsimore) Tiranë se janë emëruar 100 Mësues dhe kanë nevojë edhe për afërsisht 96 të tjerë në bazë të vlerësimit të grupit multidisiplinar.
Bajrami tregon se në Tiranë situata është pak më problematike pasi ka një mësues mbështetës për 6-7 fëmijë ndërkohë që nëpër rrethe numri është më i ulët, me një mësues mbështetës për dy fëmijë.
“Në takim na u tha se do të bëjnë që një mësues mbështetës të ketë vetëm 3-4 fëmijë ndërkohë që Erjeta Allhysa, Drejtoresha e ZVA Tiranë tha se do të jetë një mësues për 2-3 fëmijë. Kjo mbetet për tu parë”, thotë Bajrami e cila shton se ka shumë prindër që i paguajnë vetë mësuesit mbështetës për fëmijët e tyre duke llogaritur rëndësinë e tyre për fëmijët.
Këtë e pohon edhe psikologe Ariana Muça e cila thotë për Gazetasi.al se është shumë e rëndësishme që fëmijët me spektrin e autizmit të ndiqen edhe nga një mësues mbështetës, i specializuar në këtë fushë.
“Fëmijët e kanë të nevojshme. Një mësues i specializuar në këtë fushë njeh mirë nevojat dhe fazat e zhvillimit të fëmijës, sidomos në aspektin njohës, mendor. Integrimi i tyre është i lidhur ngushtë me jetën sociale midis bashkëmoshatarëve”.
Ndërkohë Gazetasi.al ka kontaktuar me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për këtë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Gjithashtu edhe Bajrami është në pritje të njoftimit nga Drejtoresha e ZVA Tiranë dhe prindërve nëpër rrethe nëse ka pasur mësues mbështetës në shkolla dhe sa fëmijë do të ndjekë një mësues. Vazhdojnë të jenë në pritje edhe më të rëndësishmit, ato që nuk duhet kurrsesi të presin, fëmijët me spektrin e autizmit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



