Futboll

Impakt i menjëhershëm, Ronaldo votohet “Lojtari i muajit” në Premier Ligë

Pak më shumë se një muaj për të bërë për vete Premier Ligën. Falë impaktit të tij të shkëlqyer me Mançester Junajtid, Kristiano Ronaldo është votuar si “Lojtari i muajit” për shtatorin. “Kush tjetër?” pyet në Tuiter profili zyrtar i Premier Ligës, teksa bën të ditur emrin e fituesit. Portugezi ka shënuar 3 herë në 3 ndeshje të këtij kampionati që pas rikthimit në Angli, duke marrë çmimin individual për herë të 5-të në karrierë.

“Për çmimin e lojtarit më të mirë të muajit shtator, – shkruhet në njoftim, – Ronaldo fitoi konkurrencën me mbrojtësin e Mançester Sitit dhe bashkombasin e tij Zhoao Kanselo, me mbrojtësin e Çelsit Antonio Rudiger, sulmuesin e Njukastëllit Alan Saint-Maksimin, mesfushorin e Uatfordit Ismaila Sarr dhe me Mohamed Salah të Liverpulit. Fituesi shpallet me votat e tifozëve në sitin e Premier Ligës, të kombinuara me vlerësimin e një jurie ekspertësh futbolli”.

Këtë çmim portugezi ka dashur te festojë, duke falënderuar me një postim në Instagram shokët e skuadrës. “Jam krenar që jam votuar si lojtari më i mirë i muajit mes shumë lojtarësh të mëdhenj të Premier Ligës. Faleminderit të gjithë shokëve të skuadrës, nuk do t’ia dilja pa ata. Vazhdojmë të punojmë fort dhe rezultatet do të vijnë!”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë