Futboll

Kartoni i parë i Lionel Mesit del në ankand, 10 mijë dollarë shifra fillestare

Çdo gjë që i përket Lionel Mesit ka një vlerë simbolike të veçantë. Edhe një vlerë monetare, sigurisht. Rasti i fundit është kartoni i parë i argjentinasit, kur ai ishte një fëmijë dhe kishte nisur të tregonte magjitë e tij te moshat e Newell’s Old Boys.

Edhe pse dokumenti nuk ka një datë precize, kuptohet nga fotoja dhe disa të dhëna që i përket kohës kur Leo ishte shumë i vogël dhe nuk e dinte se do të bëhej një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave. Fotoja tregon një djalosh të qeshur dhe pak te befasuar në shkrepjen klasike 4X4 që shërbente dhe shërben edhe sot për t’u regjistruar në manifestime të ndryshme.

Në karton jepen të gjitha të dhënat e Mesit: numri i dokumentit, data e lindjes dhe emri i plotë, Lionel Andres Mesi. Kartoni ka edhe firmën e menaxherit të atëhershëm të “Asociación Rosarina de Fútbol”, Oskar Ferrero.

“Goldin Auctions”, një sit objektesh koleksioni dhe trashëgimie, ka vendosur ta nxjerrë në ankand këtë karton, edhe pse nuk mund të konfirmojë datën ekzakte. Mendohet se bëhet fjalë për periudhën 1995-2000, kur Mesi ishte nga 8 deri në 13 vjeç dhe merrte pjesë në Liga Rosarina me La Maquina. Ajo skuadër shkëlqente falë kualitetit të numri 10, që ishte më i vogël se të tjerët dhe më i mirë se të gjithë.

Mesi kishte firmosur në karton me emrin e rij, me një kaligrafi pak të çrregullt. “Lionel Mesi” lexohet në hapësirën ku hidhet firma e lojtarit. Lojtari aktual i PSG-së ka shkruar qartë, por edhe me komplikacionet e një fëmije kur merr stilolapsin në dorë.

“Ky karton, që i përket periudhës 1995-2000, është pa dyshim një nga firmat e para të dokumentuara të Lionel Mesit dhe është një pjesë e historisë së futbollit”, – shkruan “Goldin Auctions”. Kartoni do të dalë në ankand të shtunën e 23 tetorit. Shuma fillestare është 10 mijë dollarë, por nuk dihet se sa do të shkojë vlera për atë që do të vendosë ta blejë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë