Në fillim në Champions dhe tani në kualifikueset e Botërorit. Nuk është momenti më i mirë në karrierë për Çynejt Çakir, arbitrin turk me përvojë të gjatë ndërkombëtare. Pas kontestimeve në sfidën Milan-Atletiko Madrid, – në veçanti për ndëshkimin me të kuq të Kesi dhe penalltinë e dhënë në fund kundër kuqezinjve, – ai ka goditur sërish, këtë herë në një ndeshje kombëtaresh.
Gjatë ndeshjes Gjermani-Rumani, 2-1, në minutën e 5-të, Çakir ka akorduar një penallti shumë të dyshimtë pas një kontakti mes Burkas dhe Verner në zonën rumune. Arbitri turk nuk hezitoi për të bërë me shenjë te pika e bardhë e penalltisë, edhe pse kontakti u duk që në fillim se nuk ishte aq sa për një faull.
Këtë herë VAR-i nuk pati dyshime dhe e thirri arbitrin për të riparë pamjet. Çakir hodhi poshtë vendimin e mëparshëm dhe anuloi penalltinë.
Menjëherë më pas situata ndryshoi paradoksalisht, teksa Rumania kaloi në avantazh me Ianis Haxhi. Gjermania përmbysi gjithçka në pjesën e dytë me golat e Gnabrit dhe Mylerit. Skuadra e Flik kryeson bindshëm grupin e saj në këto eliminatore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




