Futboll

Video/ Argjentinës nuk i mjafton Mesi, Brazili luan me zjarrin në Venezuelë

Nëntë gola dhe skuadra që rrzikojnë kualifikimin, veçanërisht Kili. Rezultati më i rëndësishëm i eliminatorve të “Katar 2022” vjen nga Lima, ku Kili ka pësuar një tjetër humbje, që ka efekt shkatërrues në klasifikim, vend i tretë nga fundi dhe 7 pikë larg vendit t 5-t, që siguron pjesëmarrjen në ndeshjen shtesë. Barazim pa gola në Asuncion mes Argjentins dhe Paraguajit, kurse Brazili rrezikoi shumë në fushën e Venezuelës, por më pas përmbysi gjithçka.

Pa Lautaro Martinez, Argjentina nuk mundi të shkonte më shumë se barazimi 0-0. As Mesi nuk mjaftoi. Ai krijoi dhe frymzoi skuadrën, por nuk pati mbështetjen e nevojshme. Argjentina shpërdoroi shumë, sidomos në pjesën e parë, me Di Marian dhe Korrean, të ndalur nga reflekset e Silvës. Në pjesën e dytë Argjentina dhe mund ta pësonte, pasi Almiron dhe Sanabria e vunë në vështirësi. Trajneri Skaloni tentoi t’i jepte një shkundje skuadrës, duke freskuar sulmin me të riun Alvarez, por asgjë nuk ndryshoi.

Seleçao luajti me zjarrin në Karakas, por u zgjua në kohë për të evituar humbjen e parë. Starti i ndeshjes, pa Nejmar dhe Kasemiro, ishte një makth për Brazilin, me shumë gabime, që i dhanë mundësi Ramirezit të shënonte golin e avantazhit për Venezuelën.

Në pjesën e dytë Tite korrigjoi skuadrën, hodhi në fushë debutuesin Rafinja dhe ndeshja ndryshoi. Lojtari i Lidsit dha një top preciz për Markuinjos, që në minutën e 70-të kërceu më shumë se të gjithë dhe barazoi. Brazili fitoi besim dhe Gabigol shënoi golin e avantazit me penallti, ndërsa Antoni mbylli llogaritë në shtesë me golin e tretë.

Klasifikimi sheh gjithmonë Brazilin në vend të parë, me pikë të plota (27), Argjentina e ndjek me 19, por të dyja këto skuadra kanë nga një ndeshje më pak. Më pas vijnë Uruguaji dhe Ekuadori me nga 16 pikë, Kolumbia 14, Paraguaji 12, Peruja 11, Kili 7, Bolivia 6 dhe Venezuela 4.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë