Futboll

Video/ Përmbysje spektakolare e Francës në Ligën e Kombeve, në finale e pret Spanja

Do të jetë Spanjë-Francë finalja e Ligës së Kombeve 2021, që do të zhvillohet ditën e diel, në “San Siro” të Milanos. Në Torino, kampionët e botës kanë mundur 2-3 Belgjikën, me një përmbysje spektakolare.

“Djajtë e kuq” e mbyllën pjesën e parë në avantazh të dyfishtë, pas golave të Karraskos në minutën e 37-të dhe Lukakut në të 40-ën. U duk një ndeshje gati e përfunduar, por “gjelat” nuk u dorëzuan.

Karim Benzema rihapi ndeshjen në minutën e 62-të, kurse 7 minuta më pas Mbape vendosi baraspeshën, duke kthyer në gol një penallti të fituar nga Grizman. Dhe në minutën e fundit të kohës së rregullt, Teo Hernandez mposhti Kurtua për herë të tretë, duke i dhënë fitoren Francës dhe njëkohësisht biletën e finales.

Duhet theksuar se në këtë ndeshje ishte vendimtar edhe VAR-i që akordoi penalltinë në favor të Francës, që solli golin e barazimit, si dhe duke anuluar një gol të Lukakut për një pozicion jashtë loje. Belgët, edhe pse në avantazh të dyfishtë, nuk mundën ta ruanin rezultatin dhe tani do të ndeshen me Italinë për vendin e tretë.

Belgjikë-Francë 2-3
Belgjika (3-4-3): Kurtua, Alderveireld, Denajer, Vertonghen, Kastanje (Batçuaui), Vitsel, Tilemans (Vanaken), Karrasko, De Brujne, Lukaku, E.Hazard (Trossard). Trajner: R. Martinez
Franca (3-4-1-2): Loris, Kunde, Varane, L.Hernandez, Pavard (Dybua), Pogba, Rabiot (Tçouameni), T.Hernandez, Grizman, Mbape, Benzema (Veretu). Trajner: D.Deshamps
Arbitër: Siebert (Gjermani)
Shënues: Karrasko 37’, Lukaku 40’, Benzema 62’, Mbape 69’, T.Hernandez 90’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë