Futboll

Apeli i Liliam Turam: Lojtarë të bardhë, racizmi nuk zhduket po të heshtni!

Parma, Juventusi, Bufon dhe Kanavaro si vëllezër, Franca, Botërori i fituar dhe ai humbur, Italia e Mançinit, Maradona që i pëlqen më shumë se Pelé për denoncimet ndaj fuqive, Mesi që do të jetë më i madhi në histori dhe Nelson Mandela. Liliam Turam, dje lojtar dhe sot shkrimtar, ka folur për të gjitha këto tema në Festivalin e Sportit në Trento, si dhe për librin e tij të fundit.

Kujtimet e tij futbollistike kryqëzohen me reflektime politike. Për shembull, Botërori i ’98-ës, kur të gjithë u dashuruan me atë kombëtare multietnike, që e çoi Francën në çatinë e botës. “Pse duhet pritur të fitohet një Botëror, që të shihet në sy realiteti? Kjo më ka bezdisur, por ishte edhe një mënyrë reflektimi për Francën. Pse në futboll mund të bëhet dhe jo në fusha të tjera? Kjo pyetje e bëri të rritet vendin tim.

Turam me trofeun e kampionit te botes me Francen. Gazeta Si, 7 tetor 2021

Që kur isha fëmijë reflektoja për racizmin, kur shkova në shkollë në Paris më kanë thënë “zezak i qelbur”. Kërkoja arsyet, ndërsa nëna ime më tha: ‘dorëzohu, gjërat nuk mund të ndryshojnë’. Për fat, nuk dëgjova nënën, nisa të lexoj dhe të studio historinë, takova njerëz dhe kështu shkova në Botëror i vetëdijshëm për paragjykimet. Është absurde të thuhet se ‘nuk je francez, sepse i ke sytë blu”, – ka thënë Turam.

Më tej ish-kampioni i botës e quan racizimin një kurth: “Racizmi është nj kurth, një ideologji politike, që vazhdon, sepse ka njerëz që përfitojnë. Racizmi është arrogancë, është të mendosh se ke gjithmonë të drejtë dhe të mos dëgjosh të tjerët. Duhet të dalim nga kjo arrogancë për të qenë qenie njerëzore. Duhen thyer paragjykimet, që lindin kur rritesh. Fëmijët nuk thonë ‘jam i zi, apo jam i bardhë, i verdhë apo i kuq’.

Edhe në futboll janë këto zakone, lojtarët dhe trajnerët e bardhë mund të bëjnë shumë, nëse nuk bën asgjë do të thotë se i pranon gjërat ashtu si janë. Lojtarët duhet të thonë: po, ka racizëm në Itali. Kur e thonë, do të thotë se e duan Italinë dhe duan që gjërat të ndryshojnë. Nëse ke një problem, unë duhet të të ndihmoj, nuk duhet më parë të të pyes nga je dhe çfarë ngjyre ke.

Kur bërtet ‘Kulibali është një majmun’, ti ushtron dhunë, godet jo vetëm atë, por shumë njerëz. Një person duhet të ndihmojë tjetrin, sepse ka të njëjtat të drejta. Për të vrarë racizmin nuk duhet të mendosh si një francez, një italian, një i zi, një i bardhë, por si një qenie njerëzore”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë