Futboll

Video/ Thyhet Italia e Mançinit, Spanja shkon në finalen e Ligës së Kombeve

Spanja është finalistja e parë e Ligës së Kombeve 2021. Në “San Siro”, “Furitë e kuqe” mundën Italinë 1-2, duke shuar ëndrrën e saj për titullin e dytë radhazi, pas Euro 2020. Ndeshja u vendos që në pjesën e parë me dopietën e Ferran Torres dhe ndëshkimin me karton të kuq të Bonuçit. Pak minuta para fundit, goli i Pelegrinit, pas një galopimi të Kiezës, nuk mjaftoi për të ndryshuar ndeshjen.

Pas suksesit europian dhe rekordit të pathyeshmërisë, Italia është kthyer me këmbë në tokë. Skuadra e Mançinit ka ndërprerë serinë e 37 rezultateve pozitive radhazi, duke u dorëzuar para një Spanjë, që luajti më mirë, ashtu si dhe në gjysmëfinalen e Euro 2020, por këtë herë u tregua më cinike dhe e pamëshirshme.

Duhet theksuar se Italia reagoi mirë pas golit të parë të pësuar. Insinje humbi një rast ideal, kurse e kuqja e kapitenit Bonuçi bëri që ndeshja të shkonte në binarët e Spanjës, që në avantazh dhe në superioritet numerik, bëri lojën e saj, me zotërim topi dhe kontroll ritmi. Në finale e Ligës së Kombeve shkon skuadra e Luis Enrikes, që nesër mëson kundërshtarin nga sfida Belgjikë-Francë.

Itali-Spanjë 1-2
Italia (4-3-3): Donaruma, Di Lorenco, Bonuçi, Bastoni, Emerson, Verratt (Lokateli), Zhorzhinjo (Pelegrini), Barela (Kalabria), Kieza, Bernardeski (Kielini), Insinje (Kean). Trajner: Mançini
Spanja (4-3-3): Simon, Azpilikueta, Laporte, P.Torres, Alonso, Koke (Merino), Buskets, Gavi (Serxhi Roberto), Ojarzabal, Sarabia (Gil), F.Torres (Pino). Trajner: Luis Enrike
Arbitër: Karasev (Rusi)
Shënues: Ferran Torres 17′, 45′, Pelegrini 83


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë