Motosport

Botërori dhe …anomalitë e tij, dueli Hemilton-Vershtapen vazhdon në Stamboll

Me suksesin në Soçi, Ljuis Hemilton u kthye te fitorja pas dy muajsh jashtë podit, duke kaluar rivalin Maks Vershtapen: 264,5 pikë ndaj 244 të rivalit. Një avantazh për Hemiltonin është edhe gara e radhës në Turqi, po të kujtojmë se në Stamboll 11 muaj më parë ai ka bërë historinë, duke barazuar Mikael Shumakerin në kuotën e 7 titujve. Por ka edhe disa “indikatorë”, që e anojnë peshoren nga rivali i tij.

Vendi i dytë i Vershtapenit në Rusi, – ku u nis nga vendi i fundit për shkak të zëvendësimit të “power unit Honda”, – në një farë mënyre ka shijen e fatit të parathënë. Sikur inercia e këtij sezoni të ishte e gjitha në favor të pilotit holandez, si kur gjithçka shkon mirë edhe kur shkon keq. Sigurisht, Formula 1 është “shkencë” e rëndësishme ekzakte, por historia e saj është e mbushur me anomali, që mund të prishin rrjedhën normale të gjërave.

Moment nga një garë në Stamboll. Gazeta Si, 5 tetor 2021

Po t’u referohemi fakteve, ato mes të tjerash thonë se Stambolli dhe gara e Turqisë mund të jenë vendi dhe koha e zgjedhur nga Mercedesi për të montuar “power unit” e 4-t në makinën W12 të Hemiltonit, duke ditur penalitetin që Red Bull-i dhe Vershtapen morën në Rusi. Qëllimi është për të limituar në maksimum dëmet me vendin e dytë në garë.

Garohet në Stamboll për të dytin vit radhazi. Cirkuiti turk është futur në kalendarin e Formulës 1 si zëvendësues i një gare të anuluar nga emergjenca sanitare, asaj të Singaporit. Në nëntorin e 2020-ës gara u zhvillua në kulmin e një fundjave të nisur me probleme që kishin të bënin me terrenin e rrëshqitshëm të rrugës së sapoasfaltuar. Puna e pilotëve u vështirësua më shumë edhe nga koha e keqe.

Hemilton studioi kundërshtarët në pjesën e parë të garës, që u karakterizua nga forca e makinave Racing Point, Lens Stroll i pari dhe Serxhio Perez në linjën e dytë. Në finish mbërriti i pari Hemilton, që fitoi edhe titullin, Perez i dyti dhe Ferrari i treti me Fetel.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë