Futboll

Tragjikomike në Francë/ Ekipi ngatërron qytetin pas 7 orësh rrugë, eliminohet nga Kupa

Një histori e pabesueshme vjen nga Franca, ku Kupa është mjaft joshëse dhe shpesh ka sjellë mrekulli sportive. Këtë herë historia është tragjikomike. Skuadra e Vabres Abbaye, një fshati me 1200 banorë, është kualifikuar pa luajtur, sepse kundërshtari mbërriti pas 7 orësh, ngaqë kishte ngatërruar qytetin para se të gjente atë të duhurin.

Historinë e rrallë e sjell “Le Parisien” dhe i takon sfidës me Tarbes, skuadër e Regional 1, dhe të zotëve të shtëpisë të Vabres. Miqtë, edhe pse u nisën në kohë, mbërritën pas 7 orësh në fshat, 1 orë me vonesë. Arsyeja lidhet me një “s” që i kishte shpëtuar navigatorit. Skuadra u nis rreth orës 11:45, por në vend që të shkonte në Vabres-l’Abbaye, trajneri mori drejtimin për në Vabre, në Rodez. Një vend i vogël 80 kilometra nga Vabres-l’Abbaye. Një detaj shumë i rëndësishëm.

Pavarësisht gabimit, Tarbes gjithsesi shkoi në vendin e duhur dhe me vrap lojtarët shkuan të ndërroheshin në fushë. Por vonesa u vlerësua përtej limiteve të rregullores nga drejtuesit e ndeshjes dhe kështu ekipi vendës u kualifikua pa luajtur. Historia ka bërë bujë edhe në rrjetet sociale.

Ekipi i Tarbes. Gazeta Si, 5 tetor 2021

Sigurisht, hidhërimi ishte i madh te skuadra e Tarbes. “Bëhet fjalë për një kombinim rrethanash të papërshtatshme. U nisëm rreth orës 11:45, ishte edhe një garë çiklistike që na bllokoi rrugën. Më pas autobusi nuk mund të kalonte urën, erdhëm me vrap me çanta në duar, por arbitrat nuk donin t’ia dinin. Më e keqja është se nga ura te stadiumi janë rreth 500 metra rrugë, ku autobusi nuk mund të kalojë”, – kanë thënë drejtuesit e Tarbes.

Johan Mourao, trajneri-lojtar i Vabres-Abbaye ka shprehur solidaritetin e tij: “Ishin të zhgënjyer. Duke folur me një lojtar të ri të skuadrës së tyre, na kërkoi të luanim një miqësore, por nuk ishte e mundur”. Tani nuk mbetet gjë tjetër veçse të pritet kundërshtari i radhës, që nuk duhet të harrojë “s”-në.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë