Vendimi i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale mbi vaksinimin e detyruar të studentëve krijoi shumë debate. Por 1 javë para nisjes së vitit të ri akademik, paqartësitë janë ende të mëdha. Në urdhrin e fundit thuhej se “studentët duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit COVID-19 ose test PCR çdo javë për të hyrë në Institucionet e Arsimit të lartë”. Ndërkaq universiteteve iu është sugjeruar që të zgjidhin mësimin online për studentët e pa vaksinuar. Por si do të bëhet kjo e mundur?
Studentët e pa vaksinuar në universitetet private nuk do të kenë penalizime për kryerjen e mësimit. Nga dy universitete në Tiranë i thanë Gazetasi.al se e kanë menduar se si do të zhvillohet mësimi për studentët e pa vaksinuar. Format janë të ndryshme, por janë marrë masat për vijimin normal të mësimit.

Zëdhënësi për mediat në Universitetin Europian të Tiranës, Edi Vlusha i tha Gazetasi.al për studentët e pa vaksinuar do të ofrojnë mësimin online i cili do të jetë njëkohësisht me mësimin në auditorë. Gjithashtu UET ka vendosur që leksionet të jenë të regjistruara për studentët që duan t’i rikthehen. Përfaqësuesi i universitetit shpjegoi më tej për Gazetasi.al se do të ndiqen edhe udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë për mos pranimin e asnjë studenti të pavaksinuar në auditorë. Për ata që nuk kanë mundësi të jenë online dhe nuk janë të vaksinuar do të kërkohet testi PCR çdo një javë.
Një tjetër formë mësimi online do të ndiqet nga Kolegji Universitar “Beder”. Zëdhënësi i mediave në këtë universitet, Redi Dunga, shpjegoi për Gazetasi.al se për studentët e pa vaksinuar do të regjistrohet leksioni në klasa nëpërmjet kamerave dhe mund të ndiqet njëkohësisht nga studentët online.

Përfaqësuesi i universitetit shpjegoi më tej për Gazetasi.al se “Beder” ka ndërmarrë një nismë për vaksinimin e stafit dhe studenteve, të cilët nuk e kanë bërë deri me tani.
“Ne ambientet tona po ngremë një stendë, ku nesër me 5 tetor, nga ora 10:00 deri ne 14:00 do të kryhet vaksinimi. Këtu nuk ka detyrim, por ne i inkurajojmë studentet dhe stafin që ta bëjnë vaksinën dhe shpresojmë që kjo të ndodhë me të gjithë. Ne si institucion do të zbatojmë vendimet që do të na vijnë nga autoritetet shtetërore,” shpjegoi më tej zëdhënësi.
Në një kohë kur universitetet private po përgatiten për të vijuar procesin mësimor normalisht, nga ana tjetër drejtuesit e Universiteteve Shtetërore nuk kanë marrë ende një vendim përfundimtar se si do të nisë viti i ri akademik 2021-2022, kur vaksinimi është kusht i domosdoshëm për pjesëmarrjen në auditore.

Në këtë vorbull ngjarjesh ku studentët shtetërorë përballen me një situatë jo fort të qartë, në rrjete sociale po qarkullon një deklaratë e përpiluar nga avokatë të pa cituar, për mos pranimin e vaksinimit. Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë me dije se 34% e popullatës së grupëmoshës 18-30 vjeç kanë marrë vaksinën, një numër i cili nga ekspertët konsiderohet shumë i ulët për imunizimin e grupmoshës ku bëjnë pjesë edhe studentët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



