Futboll

Video/ Yjet e PSG-së marrin goditjen e parë, Mesi me shokë turpërohen nga Renes

Mesi, Nejmar, Mbape, Di Maria, Verrati dhe Donaruma nuk jaftojnë. PSG-ja e yjeve ka pësuar humbjen e parë sezonale në fushën e Renes, ku mungoi ajo që është më e rëndësishme në futboll, dëshira për fitore. Për t’u përmendur vetëm një traversë e Mesit dhe një gol i anuluar për pozicion jashtë lojë i Mbape, ndërkohë që Renes, që mban vendin e 14-të në kampionat, e ka merituar plotësisht fitoren me lojën që bëri.

Që nuk ishte një ndeshje Championsi, u kuptua nga sjellja e yjeve të PSG-së, që ua lanë iniciativën të zotëve të shtëpisë. Renes ngulmoi më shumë, mbuloi mirë sulmuesit kundërshtarë dhe kundërsulmoi shpejt dhe rrezikshëm disa herë. Pas tri rastesh të humbura, skuadra vendëse gjeti golin e avantazhit me Laborde në fundin e pjesës së parë.

Dhe 1-0 u bë menjëherë 2-0 sapo nisi pjesë e dytë, kur topin e krosuar nga Laborde këtë herë e dëregoi në rrjetë Tait. Një gol që prishi planet e përmbysjes së parisienëve. Mbape shënoi, por nga VAR-i u sinjalizua për një pozicion jashtë loje dhe rezultati mbeti i njëjtë. Këtë herë trajneri Poketino ndërroi Nejmarin me Ikardin, megjithatë Renes ia doli ta ruante avantazhin e dyfishtë deri në fund. PSG gjithsesi mbetet në krye, 6 pikë para Lens.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë